Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, që të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahen në Serbi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha thekson se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet në Serbi është një mundësi e rëndësishme që zëri i tyre të dëgjohet dhe të ketë peshën që meriton.

Partitë shqiptare në Serbi kanë arritur për të parën herë që të bashkohen në një koalicion, i cili quhet ‘Koalicioni Shqiptar’.

Shqiptarët e Preshëves, Medvegjës dhe Bujanovcit do të kenë mundësi që duke votuar ‘Koalicionin Shqiptar’, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Serbisë.

Reagimi i ministrit Hoxha:

Të dashur bashkëatdhetarë, qytetarë të Luginës së Preshevës.

Pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë themelore demokratike, por edhe një mundësi e rëndësishme për të bërë që zëri juaj të dëgjohet dhe të ketë peshën që meriton.

Sot është dita për ta bërë këtë, duke marrë pjesë masivisht në votime dhe duke ushtruar lirisht të drejtën tuaj demokratike.

Çdo votë ka rëndësi.

Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më i fortë është zëri juaj për të drejtat, përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve në  Luginën e Preshevës.

Dilni dhe votoni.

Për zërin tuaj, për të drejtat tuaja, për të ardhmen tuaj.