Drejtori i Policisë së Elbasanit, Kastriot Skënderaj ka dhënë detaje në lidhje me shpërthimin e fuqishëm në pallat 5-katësh në Elbasan.
Ai bëri me dije se telefonata në sallën operative është marrë rreth orës 16:40, ndërsa shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë për t'u ardhur në ndihmë banorëve.
Sipas Skënderaj shkaku i shpërthimit nuk është konfirmuar ende, pasi dyshimet e para lidhen me një bombol gazi, por pritet verifikimi nga ekspertët dhe shërbimet zjarrfikëse.
“Ju bëj me dije se telefonata në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ka ardhur rreth orës 16:40. Shërbimet e Policisë, të cilat ndodheshin në afërsi të vendngjarjes, kanë mbërritur menjëherë dhe kanë konstatuar një zjarr në katin e tretë të një pallati, ku ndodhemi edhe ne aktualisht.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur në numër të konsiderueshëm dhe u kanë ardhur në ndihmë qytetarëve që ndodheshin në apartament, duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre, përfshirë edhe personat që ishin asfiksuar nga tymi. Një grua ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër, i cili ndodhej në katin e tretë të apartamentit, ende nuk është gjetur.
Këtë rast po e trajtojmë me vëmendje maksimale. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, por në këtë fazë nuk mund të japim një shkak të saktë për atë që ka ndodhur. Fillimisht informacioni që kemi marrë ka qenë për një bombol gazi, por tashmë duhet të presim konfirmimin nga shërbimet zjarrfikëse dhe grupet e specializuara që po vijnë nga Tirana, për të përcaktuar nëse kemi pasur të bëjmë me zjarr apo me një shkak tjetër.
Pas shuarjes së zjarrit do të kemi një informacion më të qartë dhe do të mund të sqarojmë më tej rrethanat e ngjarjes.”- shpreh Skënderaj
Lajmi kryesor:
E rëndë në Elbasan! Shpërthim i fuqishëm në pallat, shembet një kat! Humb jetën një e moshuar, nuk gjendet një burrë, 10 banorë në spital (EMRAT + VIDEO)








