Deputetja Elisa Spiropali u pyet nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp edhe për procedimin që SPAK ka regjistruar, siç u bë publike në disa media. Deputetja tha kjo është bërë për shantazh dhe foli për kallëzim nga njerëz anonimë. Spiropali nuk dha detaje kur u pyet nëse një restorant në bllok i bashkëshortit të saj është objekt hetimi nga SPAK, por foli për Prokurorinë e Posaçme si një aset që duhet mbrojtur.
“Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por të gjithë ata, se dihet kush janë, anonimë ose jo, të vihen në rresht e të bëjnë 100 kallëzime, se s’e kam pikën e problemit. Kur e kam nisur këtë betejë, e kam ditur mirë se çfarë vjen. Një, pesë, dhjetë kallëzime, le të bëjnë çfarë të duan. Mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Sa të duan të bëjnë kallëzime, unë nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë betejë e kam bërë se nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh.
Çështja që unë kam ngritur nuk ka qenë personale. Edhe çështjet administrative zgjidhen në gjykata. Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe qëndrese. Më shumë mund t’i vlejë atij që merr gjobë 5 milionë. Zgjidhja ishte presioni, të merreshe me njerëzit për t’i kontrolluar, apo t’i dëgjoje, të reagoje ndaj ndjeshmërive, të uleshe e të gjeje zgjidhje me opozitën? Këtu, ata që humbin treten, ikin nga vendi se s’kanë më asnjë mundësi.
Unë kam qenë drejtuese politike në shumë vende. Kam edhe unë përgjegjësitë e mia. Ka ikur koha kur drejtuesi politik vendoste se kush do të shkonte infermiere në bashki, se kujt do t’i jepej titulli i këshilltarit. O do të zgjedhim më shumë demokraci, o autokraci. O liri, o kontroll.
Tymnaja që është ngritur në publik për një kallëzim anonim s’ka lidhje fare. Unë jam krenare për familjen time. Këtë luftë politike e kemi marrë përsipër dhe do ta bëjmë. SPAK-u është një aset i çmuar i Shqipërisë. Patjetër që duhet mbrojtur. Patjetër që i duhen garantuar të gjitha kushtet për çdo punë që ka të bëjë me drejtësinë. SPAK-u është një institucion që duhet ruajtur nga ndikimi politik. Emri i tij s’duhet të përmendet në sulme politike nëpër portale e televizione nga media që paguhen nga interesa të errëta e të dyshimta. Paratë që ua marrin shqiptarëve i hedhin në kanale të tilla për të sulmuar kundërshtarët e rivalët politikë”, tha Spiropali.
Lajmi kryesor:
Përjashtimi/ Elisa Spriopali: Vendime nul, s’pati votime! Betejën do ta bëj në PS, të largohen ata që kanë abuzuar me pushtetin










