Në përvjetorin e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, familjarë, qytetarë dhe aktivistë u mblodhën pranë shkollës “Fan Noli” për ta kujtuar dhe për të kërkuar drejtësi. “Heshtja vret”, tha nëna e tij duke kujtuar se ende nuk ka asnjë masë dhe reflektim që ngjarje të tilla të mos përsëriten e fëmijët të jenë të sigurt në shkolla.
Në çdo varg të poezisë “Në çdo rrahje zemre”, e dedikuar për Martin Canin nga miqtë e bashkëmoshatarët e afërm, u përkujtua mes dhimbjesh e lotëve 14-vjeçari, jeta e të cilit u nda në mes vetëm 1 vit më parë.
Për të kujtuar energjinë dhe buzëqeshjen e Martinit, u mblodhën sot para shkollës “Fan Noli”.
Me lule, fotografi dhe lot në sy, jo vetëm prindërit por edhe qytetarë të tjerë evidentuan reflektimin e munguar pas ngjarjes tragjike që tronditi një shoqëri të tërë, një heshtje vrastare sipas tyre e një shteti që duhet të merrte masa drastike.
“Dua ta nis me një falënderim për të gjithë shqiptarët kudo që janë që na kanë mbështetur në kohët më të vështira. Mbush 1 vit që nuk jetoj normal sepse me ikjen e Martinit, gjendja ime vetëm marr frymë dhe vazhdimisht më merret dhe frymëmarrja. I bëj thirrje të mbrohen fëmijët, të mos heshtin institucionet. Matini ishte një fëmijë... lindi i dukshëm dhe ashtu është përsëri. Iku në mënyre më mizore nga kjo botë. Nuk e meritonte. Dhe nga kush nga një bashkëmoshatar i tij, në vend që të ishin shokë, iu bë armik dhe i mori jetën. Nuk duhet të heshtim, heshtja vret. Kam shumë fjalë për Martinin, Martini ishte futbollist, i dashur, i ëmbël, i mirë dhe nuk meritonte të ikte në atë mënyrë. Ju lutem institucioneve, mësueseve, psikologëve, të gjithë stafit, të marrin masa dhe mos të neglizhojnë situata të tilla. Mos të kemi fëmijë të tjerë dhe të kos kenë fatin e fëmijës tim apo mua si nënë që po jetoj çdo ditë me dhimbje”.
Mes dhimbjes, nëna e 14-vjeçarit përcolli edhe një dëshirë tjetër, që emri i të birit të mos harrohet.
“Si mendoni ju, nuk e meritonte Martini një stol apo emrin në palestër sepse ai ka qenë sportist. Ai e meritonte. Patjetër që kemi bërë kërkesë dhe përgjigja ka qenë negative”.
Martin Cani u vra me thikë me 18 nëntor një vit më parë pas një sherri mes bashkëmoshatarësh. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 25 vite burg për të miturin, i akuzuar si autor i ngjarjes. Megjithatë nëse shpallet fajtor, sipas Kodit Penal për të Miturit, Gjykata nuk mund ta dënojë më shumë se 12 vite.
Komente










