Pikërisht në këtë fazë, Partia Demokratike, e mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ka nisur një ofensivë të re sulmesh në adresë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Avokatit të Popullit, dy institucionet e para që bënë edhe seleksionimin e parë të kandidatëve.
Sipas opozitës, 68 kandidatët që kanë marrë miratimin e OMN janë lista e Edi Ramës, ndërsa kërkoi kualifikimin e disa kandidatëve të përfshirë në listën e zezë, kërkesë kjo që u hodh poshtë nga socialistët.
Po pse këmbëngul Partia Demokratike tek lista e zezë me kandidatët e skulifikuar, të cilat sipas saj përmban aplikantë të aftë për të bërë Vetingun e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve?
Nisur nga arsyet e përfshirjes në listën e zezë të disa kandidatëve, referuar dosjeve të ONM dhe Avokatit të Popullit, Partia Demokratike ka synuar për të katapultuar në organet e Vetingut njerëzit e saj, me qëllim për të shpëtuar armatën e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Por, një plan i tillë është rrëzuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, sidomos nga përfaqësuesit amerikanë. Ekspertët e ONM, për çdo kandidat, në përgjigjen e skualifikimit, kanë shënuar arsyet, duke përfshirë, sipas rastit, edhe lidhjet politike me Partinë Demokratike.
Njerëzit e PD në listën e zezë
Nga 125 kandidatë të skualifikuar nga Avokati i Popullit se nuk përmbushin kriteret formale si të përfshirë në listën e zezë të ONM, janë edhe disa këshilltarë të ish-ministrave të Sali Berishës. Konkretisht, në listën e të përjashtuarave, është përshirë Ermonela Xhafa, e cila rezulalton që të ketë qenë këshilltare e ministrit të Drejtësisë në vitin 2013, pra e Eduard Halimit.
Po ashtu, është përjashtuar Klejda Ngjela, këshilltare e ministrit të Punës së Çështjeve Sociale në vitet 2005-2010 si dhe Kostandin Kazanxhi, i cili ka qenë këshilltar ligjor i ish-ministrit të Financave Ridvan Bode në vitin 2008.
Në listën e të përjashtuarve është përfshirë edhe Shaqir Hasani, aktualisht këshilltar i Presidentit Bujar Nishani. Hasani është konsideruar nga Avokati i Popullit si kandidat politik, ndonëse ai pretendon se Presidenca është e pavarur. Në listën e zezë është futur edhe Krenar Ahmeti, ish-funksionari i lartë i Policisë së Shtetit gjatë pushtetit të PD, i cili ka pasur disa incidente me funksionarë të PS, kur kjo e fundit ishte në opozitë.
Ahmeti është përjashtuar nga ONM për sjellje kriminale, por ai ka deklaruar se është rehabilituar dhe se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të kandiduar.
Kandidatët e lidhur me Partinë Demokratike që u përjashtuan
- Ermonela Xhafa, këshilltare e ministrit të Drejtësisë në vitin 2013.
- Klejda Ngjela, këshilltare e ministrit të Punës së Çështjeve Sociale 2005-2010.
- Kostandin Kazanxhi, këshilltar ligjor i ish-ministrit Ridvan Bode në vitin 2008.
- Shaqir Hasani, këshilltar i Presidentit Nishani, i konsideruar nga Avokati i Popullit si politik.
- Krenar Ahmeti, ish-funksionari i lartë i Policisë së Shtetit gjatë pushtetit të PD.
Al.N/Sqiptarja.com
