I ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte 55 vjeçari me një talent të pazakontë që njihet me pseudonimin si “Mogli i Kosovës”, i cili jeton me plot 2000 kafshë të egra. Hysni Rexhaj, që prej moshës 5 vjeçare ka patur pasion të merrej me botën e egër, duke e nisur fillimisht me pëllumbat dhe shqiponjat, deri në moshën 12 vjeçare... Djaloshi kujdesej për to, si për pjesëtarët e familjes, duke koleksionuar specie nga më të pazakontat që gjente.
”Nisi si një pasion fëmije, duke u bërë me kafshët një familje” nisi rrëfimin Hysniu, personazhi kontrovers nga Gjakova. Edhe gjatë regjimit serb ai nuk e harroi këtë pasion, ku pas mbarimit të shërbimit ushtarak, kafshët tek ferma shtoheshin dita-ditës.
Sot kafshët në fermën time janë mbi 2000 nga të gjithë llojet, duke përfshirë ujkun, majmunin, dhelprat, gjarpërinjtë, strucat apo shqiponjat” vazhdoi më pas ai. Hysniu ka një kopësht zoologjik të tijin dhe të gjithë që shkojnë në Kosovë, vinë për t’a vizituar, duke u mahnitur nga pasioni i këtij njeriu që ëshë bërë shumë popullor në mediat e huaja, falë një fotoje virale, ku duket Hysniu që e fut kokën në gojën e ujkut.
”Kanë ardhur disa nga mediat më prestigjoze në botë për të më intervistuar nga ajo foto dhe janë mahnitur me këtë pasionin tim” u shpreh ai.
Hysniu theksoi se këtë dhunti ia ka dhënë Zoti dhe se i është shumë mirënjohës atij. Që fëmijë kishte ëndërruar që të mbante ujqër në oborrin e shtëpisë dhe sot ëndrra iu bë realitet. Kohët e fundit pasioni i është bërë profesion pasi në rastet kur njerëzit gjejnë kafshë të ndryshme të egra në ambientet e banesave të tyre dhe duan t’i heqin, kontaktojnë Hysniun, i cili u vjen në ndihmë për t’i zhvendosur, pa rrezikuar askush jetën, duke u bërë kështu një misionar që mendon për kafshët dhe botën e egër.