TIRANE - Marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë e Gjermaninë është shumë afër finalizmit. Sot ka përfunduar raundi i parë i negociatave për njohjen reciproke të pensioneve Shqipëri-Gjermani. Këtë e njoftoi ministri i Mirëqenies sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj gjatë një konference për shtyp me ambasadorinn gjerman Helmut Hoffman. 

“Vetëm një javë pas vizitës së homologut gjerman, ekipi negociator erdhi këtu për të finalizuar marrëveshjen, Në këto tre ditë është mbyllur pjesa më e madhe e saj. Çmojmë faktin që kjo marrëveshje do të ndihmonte qindra shqiptarë që jetojnë në Gjermani, e më pak gjermanë që jetojnë këtu. Jemi të ndërgjegjshëm se ku proces do të kërkojë edhe një raund tjetër negociatash që do të jetë gati në fund të verës.” u shpreh Veliaj

Nga ana tjetër, ambasadori Hoffman tha se marrëveshja e pensioneve, pjesë e programit për sigurinë sociale është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të gjerë shqiptaro-gjerman.

Ai tha se Gjermania mirëpret të kualifikuarit që duan të punësohen atje, por nënvizoi se rruga për të nisur një marrëdhënie pune nuk duhet të kalojë përmes azilit. 

“Qytetarët shqiptarë kanë interes të punojnë në Gjermani, ndërsa Gjermania ka interes për forca pune të kualifikuara. Por, rruga për të nisur një marrëdhënie punësimi nuk kalon përmes aplikimit të azilit. Kjo është rruga e gabuar. Ajo që na intereson është punësimi i fuqisë së kualifikuar. I referohem këtu arsimit përkatës dhe njohuri të gjuhës gjermane. Jo të gjithë duhet të vijnë tek ambasada. Ajo shërben për lëshimin e vizave dhe jo për ndërmjetësimin e vendeve të punës.” tha Hoffman

Raundi i dytë i bisedimeve për pensionet pritet të përfundojë në fund të muajit prill, ndërsa në shtator të këtij viti do të finalizohet marrëveshja, nga e cila do të përfitojnë mijëra shqiptarë që banojnë në Gjermani. Por jo vetëm kaq. Ministri Veliaj bëri të ditur se kanë nisur bisedimet për njohjen e pensioneve edhe me shtetin fqinj Italinë, ku ka një prani më të madhe të emigrantëve shqiptarë.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)