TIRANE- Emigrantët të cilët jetojnë dhe punojnë në Angli pritet që shumë shpejt t’u njihen vitet e punës si në Shqipëri ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ky fakt është bërë i ditur nga vetë Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj gjatë një vizite në Londër ku ka theksuar se negociatat do të nisin në pranverë.

“Komuniteti shqiptar në Britani nuk është shumë i madh, si ai në Itali dhe Greqi, por është i konsoliduar, i zëshëm dhe në pjesën më të madhe i legalizuar, sa i takon pagesës së sigurimeve shoqërore. Brenda pranverës ne synojmë të nisim negociatat. Propozimi që ne u bëjmë vendeve me të cilat negociojmë është që të mbledhin vitet e punës, sepse nëse shtohen me ato të Shqipërisë, i kualifikon emigrantët për pension këtu dhe jepet në mënyrë proporcionale ajo pjesë që u takon”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, deri tani janë mbyllur negociatat me 7 shtete dhe janë në proces me Gjermaninë dhe Austrinë.

Gjatë vizitës në Londër Veliaj ka folur edhe për nismën “Aftëso Shqipërinë!”, e cila ka për qëllim të ftojë apo sjellë në vendin tonë arsimtarë dhe administratorë shqiptarë e të huaj për të kontribuar në rikthimin e zanateve nëpërmjet arsimit profesional. Ky fakt është bërë i ditur nga ministri Erion Veliaj gjatë vizitës së tij në Londër, ku theksoi se ky program ka për qëllim të rekrutojë edukues apo administratorë shqiptarë ose të huaj me përvojë dhe me dëshirë për të kontribuar në misionin e përbashkët të të rikthyerit të zanatit në Shqipëri nëpërmjet arsimit profesional, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e kësaj nisme.

“Ne jemi në një proces ku po transformojmë arsimin profesional, duke u fokusuar tek aftësitë që ofrojnë punë në treg dhe jo tek diplomat e 20 viteve të fundit që nuk kanë treg. Gjithashtu, po shohim për njerëz me aftësi profesionale.

Ne nuk mund të vazhdojmë të mësojmë se si ndërtohen autotraktorët apo industri të tjera të dështuara në Shqipëri, ndaj kemi vënë re se në shkollat ku kemi partneritet me mësues ndërkombëtarë, produktiviteti ka qenë më i lartë, nxënësit janë më të mirë dhe më të punësueshëm”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, kandidatët që do ti bashkohen nismës duhet të jenë në gjendje t’i kushtojnë të paktën një vit akademik punës së tyre në shkollat profesionale dhe të jenë të gatshëm të zhvendosen në zonat pranë tyre.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)