Njohja e pensioneve të emigrantëve
Veliaj: Negociata me Gjermaninë

Njohja e pensioneve të emigrantëve<br />Veliaj: Negociata me Gjermaninë
GJERMANI- Njohja e viteve të punës dhe pensioneve ka qenë tema në fokus të një takimi që ministri i Mirëqenies Erion Veliaj ka zhvilluar në Gjermani. Gjatë takimit me homologen gjermane Andrea Nahles, ministri Veliaj thotë se nisën negociatat për njohjen e pensioneve për rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Gjermani.
 
Ministri Veliaj vuri në dukje se nënshkrimi i marrëveshjeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë është një nga përparësitë e MMSR-së dhe i kërkoi Nahles hapjen e procesit të negociimit të një marrëveshjeje të tillë edhe me Gjermaninë.
 
Nga ana e saj, ministrja Nahles mirëpriti kërkesën e ministrit Veliaj dhe shprehu mbështetjen e saj maksimale për ngritjen e një grupi pune në nivel teknik për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë dhe anasjelltas. Ajo shtoi se është një mbështetëse e fortë për eksplorimin e të gjitha fushave të bashkëpunimit me vendet aplikante në Bashkimin Evropian, duke theksuar punësimin në fushën e infermierisë dhe ndihmën që mund të japë Gjermania për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri.
 
“Sapo nisëm procesin e negociatave për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Gjermani. Jam i lumtur për këtë hap të rëndësishëm që hodhëm sot, nga i cili do të përfitojnë rreth 20 mijë shqiptarë. Sigurimi i mbrojtjes shoqërore për emigrantët shqiptarë dhe transferimi i kontributeve të tyre të fituara në Shqipëri dhe anasjelltas përbën prioritet për qeverinë shqiptare”, tha ministri Veliaj pas takimit me homologen gjermane.
 
Sipas tij, me Gjermaninë po negociohet edhe mbi punësimin e shqiptarëve në fushën e infermierisë dhe shërbimet sociale.
 
Në kuadër të këtyre negociatave u nënshkrua një marrëveshje e re në fushën e punësimit, si dhe shkëmbimi i eksperiencës dhe ndihmës teknike gjermane në fushën e arsimit profesional, punësimit dhe shërbimeve sociale.
 
Në ditën e dytë të vizitës së tij, ministri Veliaj do të nënshkruajë në Hamburg një marrëveshje në fushën e arsimit profesional, duke qenë se Shqipëria është publikisht e angazhuar në ndjekjen e modelit gjerman në këtë fushë dhe qeveria shqiptare e vlerëson si të rëndësishme ngritjen e këtij bashkëpunimi në nivelet e një partneriteti strategjik.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainë/ Më 16 tetor Zelensky do të prezantojë ‘Planin e Paqes’

Lufta në Ukrainë/ Më 16 tetor Zelensky do të prezantojë ‘Planin e Paqes’