NJU JORK - Në kuadër të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u takua në Nju Jork me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivan Mrkic.

Sipas njoftimit zyrtar të MPJ, në takim u diskutua mbi mundësinë e intensfikimit të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe të turizmit mes dy vendeve. Gjithashtu, u vlerësua mundësia për të thelluar dialogun për çështje ende të pazgjidhura.

Ministri Bushati parashtroi nevojën për të patur lëvizshmëri më të lartë të studentëve dhe kërkuesve shkencorë nga të dy vendet. Gjithashtu, Bushati vuri theksin në projekte infrastrukturore që lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor.

Palët ndanë pikëpamjen që pas marrëveshjes Serbi-Kosovë, tashmë ekziston një realitet i ri, që duhet shfrytëzuar. Të dyja palët vlerësuan pozitivisht frymën për një bashkëpunim reciprok dhe që kontribuon për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ministri Mrkic i bëri ftesë ministrit Bushati për një vizitë zyrtare në Beograd.

Lajmi u botua edhe në mediat serbe, të cilat citojnë që Mrkic të ketë thënë se "me kolegun shqiptar kemi folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe jemi marrë vesh, që ai të vizitojë Beogradin me qëllim, që në zhvillimin e marrëdhënieve tona në plan të parë të jetë qasja pragmatike, pasi të dy vendet dëshirojnë të hyjnë në BE”.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)