Të paktën dy persona kanë humbur jetën në Nju Jork si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet rekord të shiut që goditën qytetin të enjten, duke mbuluar me ujë rrugë, bodrume banesash dhe disa stacione metroje. Sipas autoriteteve viktimat janë dy persona të moshës 39 dhe 43 vjeç.
Ngjarja e parë u regjistrua në Brooklyn, 39-vjeçari u gjet pa shenja jete në bodrumin e përmbytur të një godine. Ai u nxor nga ekipet e zhytjes së FDNY dhe u transportua në spital, por mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Rasti i dytë ndodhi në zonën e Washington Heights, në veri të Manhattanit, ku u gjet trupi i 43-vjeçarit brenda një ambienti të përmbytur.
Sipas Departamentit të Menaxhimit të Emergjencave të NYC, reshjet kanë thyer rekorde historike. Shërbimi Kombëtar i Motit raportoi 1.8 inç shi në Central Park, shifër që sipas vlerësimeve paraprake tejkalon rekordin e vitit 1917. Ndërsa në aeroportin LaGuardia u regjistruan 1.97 inç shi, duke kaluar rekordin e vitit 1955.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin bodrumet dhe zonat me rrezik përmbytjeje, ndërsa paralajmërojnë për reshje të tjera të mundshme.
Komente










