TIRANË– Ministri i Brendshëm, Noka, ka komentuar sot Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit ku, sipas tij, "në mënyrë të drejtë dhe të qartë, vlerësohet puna, arritjet, vlerësohet drejt e korrekt edhe performanca e shkëlqyer e Policisë së Shtetit,  vlerësim që hedh poshtë çdo sajesë politike, çdo trillim politik, çdo akuzë politike që është hedhur”.

Këtë qëndrim të tij, Noka e ilustroi me dhurimin më të ri që iu bë sot, “pikërisht një ditë pas Raportit”, - siç theksoi ai, - “të dhurimit me vlerë 60 mijë dollarë në pajisje si kamera termike dore, dylbi dite dhe nate etj." nga qeveria e SHBA-së.

Sot, Noka ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit  sëbashku me Zv/ambasadorin amerikan, Henry V.Jardin pasi mori në dorëzim, në kuadër të programit të qeverisë së SHBA-së për kontrollin e eksporteve dhe sigurinë e kufijve, disa pajisje dhuratë, për forcimin e kapaciteteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit.

“Simbolika e këtij donacioni merr një dimension krejt të veçantë, pasi vjen një ditë pas raportit të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit”, - tha ai, -“ku në mënyrë të drejtë dhe të qartë vlerësohet puna e Policisë së Shtetit, vlerësohen arritjet e Policisë së Shtetit dhe vlerësohet drejt dhe korrekt edhe performanca e shkëlqyer e saj. Ky vlerësim hedh poshtë çdo sajesë politike, çdo trillim politik, çdo akuzë politike që është hedhur në drejtimin Tuaj.

Zv.ambasadori amerikan në Tiranë, Henry V. Jardin, gjatë fjalës së tij, duke u ndaluar në asistencën e ofruar, Policisë së Shtetit, tha:

“Programi për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare ka dhjetë vjet që operon në Shqipëri duke dhënë mbështetje nëpërmjet trajnimeve dhe pajisjeve të dhuruara për të forcuar kapacitetet e Shqipërisë në tre drejtime kryesore: ndalimin e armëve të shkatërrimit në masë, lufta kundër çdo lloj trafiku të paligjshëm dhe asistenca për mospërhapjen e lëndëve bërthamore. Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon progresin që Shqipëria ka treguar në zbatimin e ligjit në kufi dhe do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë nëpërmjet programit EXBS”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)