Deputeti i PD-së Flamur Noka në një dalje publike të ditës së sotme i kërkon Tahirit të bëjë publike marrëdhëniet që ky i fundit ka me Serezin i cili sipas PD-së ka qenë dhe shoqërues i Tahirit gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit. Për PD-në arrestimi i Serezit është një tjetër rast i përfshirjes së personave të dyshimtë dhe me lidhje kriminale, në Policinë e Shtetit.
“I ndaluari i djeshëm nga Policia e Gjirokastrës me një ton marijuanë, me destinacion Italinë, është një punonjës i Policisë së Shtetit, i emëruar nga rilindja, me precedent penal, dhe njeri i afërt i Ministrit të Brendshëm. I ndaluari i djeshëm, banor i kombinatit njihet për raportet e ngushta që ka me Tahirin, veçanërisht në fushatën e fundit elektorale, ku shërbente edhe si shoqërues i Ministrit të Brendshëm."- tha Noka.
Noka i kërkon Tahirit të publikojë marrëdhëniet që ka me Ardian Serezin. " Sasia e frikshme e drogës e kapur dje, dhe mënyra e maskimit të njeriut të afërt të z.Tahiri, tregon qartë se me Rilindjen në vendin tonë, linjat e trafikut të drogës të lidhura direkt me ministrin janë vendosur, dhe se ky mekanizëm, vërteton edhe një herë shqetësimin e autoriteteve italiane dhe greke për sasinë e marramendëse të drogës që po mbërrin nga Shqipëria në shtetet fqinje.
Ne i kërkojmë Ministrit të Brendshëm t’i tregojë publikut marrëdhëniet që ka me Ardian Serezin dhe kur është takuar për herë të fundit me të. Ne i kërkojmë Ministrit të Brendshëm, t’i tregojë qytetarëve, se kush janë kriteret që janë ndjekur për punësimin në Policinë e Shtetit, të trafikantit të drogës, një prej çunave të tij në Kombinat,” tha Noka duke vënë në dispozicion para medias një foto gjatë fushatës elektorale ku Ardjan Serezi është prezent në një nga takimet elektorale të Tahirit.
(Kjo foto u shpernda sot nga PD. Poshtë shigjetës është Seferi, gjatë një takimi elektoral të Tahirit për zgjedhjet e 23 qershorit)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)