Norma bazë e interesit nuk do normalizohet deri në 2024! BSH: Kërkesa e lartë rriti çmimet e produkteve, inflacioni do zbresë gjatë 2023

Kriza e çmimeve pritet të jetë prezente deri në fund të këtij viti dhe gjithçka do të reflektohet në rritjen e kostove për familjet, ndërsa inflacioni do jetë mbi 3%.

“Për vitin aktual, ne presim që inflacioni të jetë mbi objektivin 3%, në pasqyrim të niveleve të larta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Stabilizimi dhe korrektimi i tyre – i parashikuar të ndodhë gjatë vitit 2022 – do ti hapë rrugë reduktimit të inflacionit drejt objektivit”, sqaron Banka e Shqipërisë.

Në përgjigje të pyetjeve të Report TV, Banka e Shqipërisë thotë se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë për konsum e shërbime, përballë një momenti kur oferta është e ulët sepse prodhimi ka qenë i reduktuar prej pandemisë. Sipas Bankës së Shqipërisë inflacioni do zbresë në 3% në 2023 dhe vetëm atëherë pritet një stabilizim i situatës.

“Ne parashikojmë që inflacioni të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv duke filluar nga viti 2023. ‘I pastruar’ nga ndikimi i goditjeve të ofertës, kthimi i inflacionit në objektiv do të pasqyrojë balancimin e kërkesës me ofertën për mallra dhe shërbimeve, si dhe rritjen e punësimit dhe të pagave në linjë me produktivitetin”, përgjigjet Banka e Shqipërisë pyetjeve drejtuar nga Report TV.

Për të bërë të mundur rikthimin e inflacionit në normalitet, banka qendrore thotë se do të reduktohen stimujt mbështetës të politikës monetare dhe se mund të rishikohet në rritje norma bazë e interesit, edhe pse ajo përsëri do të jetë poshtë nivelit 1% deri në 2024.

“Arritja e objektivit të inflacionit do të kërkojë reduktimin e stimulit monetar gjatë vitit 2022. Këtë qëndrim ne e kemi komunikuar prej disa tremujorësh tashmë. Sipas vlerësimeve tona të fundit, të cilat u komunikuan edhe në njoftimin e fundit për shtyp të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, mundësia e ndodhjes së këtij reduktimi do të merret në shqyrtim gjatë mbledhjeve të ardhshme të Këshillit. Nëse do të ndodhë, ai do të marrë formën e rritjes së normës bazë të interesit. Megjithatë, reduktimi i stimulit monetar nuk nënkupton kalimin e politikës monetare në kahun shtrëngues. Pavarësisht tij, norma bazë e interesit pritet të mbetet poshtë nivelit të saj historik edhe për dy vitet në vijim. Kjo nënkupton se politika monetare do të mbetet në kah stimulues edhe gjatë vitit 2022 e më tej, ndonëse madhësia e stimulit do të jetë më e vogël. Politika monetare do të vijojë të garantojë kushte financimi të përshtatshme për rritjen e konsumit dhe investimeve”, përgjigjet Banka e Shqipërisë.

Norma bazë e interesit u ul në mars të 2020 nga Banka e Shqipërisë me qëllim që të uleshin kostot e kredisë, si dhe të mos cenohej konsumi dhe investimet.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alketa: 05/02/2022 16:53

    O injorante te BSH, Anglia i rriti per here te dyte interesat brenda tre muajsh,Australia po ashtu. Federal Reserve do i rrise ne mars dhe ECB gjithashtu ka sinjalizuar se do i rrise se shpejti. Cfare prisni ju te veproni? Njerezve i ka shkuar thika ne palce nga rritja e cmimeve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Ngrini' dialogun me Serbinë, Hasani: Propozimi i Ramës për Kosovën realist, logjikë e diskutuar me partnerët

'Ngrini' dialogun me Serbinë, Hasani: Propozimi i Ramës për Kosovën realist, logjikë e diskutuar me partnerët