Mes 11 viktimave të konfirmuar deri më tani të tragetit ‘Norman Atlantic’, mësohet të jetë edhe një shqiptare. Lajmi i publikuar nga Ansa flet për Racha Chariff, 15-vjeçare me leje qëndrimi në Gjermani.
 
Mbrëmë është identifikuar edhe trupi i viktimës së nëntë, i cili është një shofer kamioni me emrin Gerasimos Kazantzidis.
 
Ka qenë i biri dhe nipërit që kanë njohur trupin e viktimës, ndërsa pritet autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Spitali i Përgjithshëm i Barit. Nga 11 viktimat e konfirmuar, dy trupa mbeten ende të paidentifikuar.
 
Shtatë trupat e tjerë të identifikuar deri më tani janë dy shoferë kamioni, një prift gjeorgjian, një grua turke, një tjetër gjermane dhe dy grekë. Një ditë më parë, ‘Norman Atlantic’ ka mbërritur në radë të portit të Brindizit ku pritet të bëhet një inspektim i ri. Sipas komandantit të portit, Mario Valente me shumë gjasë hetimet nuk do të bëhen sot për shkak se nxehtësisë së lartë të tragetit dhe për arsye sigurie ende nuk mund të depërtojnë në brendësi të tij.

Nga dyert e Norman Atlantic i cili po qëndrion në afërsi të portit të Brindizit, shikohet ende të dalë tym. Ndërkaq, sipas mediave italiane, depërtimi në traget mund të çojë në gjetjen e trupave që figurojnë të humbur, numri i saktë i të cilëve mbetet ende mister.
 
MPJ: Në listën tonë s’ishte, gjermania s’lejon dy shtetësinë
Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar menjëherë pas publikimit të lajmit në mediat online, se një prej 11 viktimave në tragetin “Norman Atlantic” është me orgjinë shqiptare.
 
Ndërsa bëhet fjalë për 15-vjeçaren Racha Chariff, Ministria e Punëve të Jashtme shprehet se vajza nuk ka qenë në listën e personave me nënshtetësi shqiptare që po udhëtonin me tragetin Famëkeq.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)