/ATSH-E.Xhajanka/- Normat e interesit në tregun ndërbankar janë karakterizuar nga ecuri rënëse në tremujorin e fundit, bën të ditur Banka e Shqipërisë.
Në raportin e publikuar së fundit prej saj, BSH-ja, vëren se, presionet për likuiditet kanë qenë të përmbajtura, ndërkohë që kahu akomodues i politikës monetare ka favorizuar rënien e normave të interesit në këtë tremujor, ashtu si gjatë gjithë vitit.
Ulja e normës bazë nga Banka e Shqipërisë në fundin e muajit nëntor, u reflektua menjëherë te interesat e transaksioneve ndërbankare në muajin dhjetor.
Normat ditore të interesit në tregun e parasë janë luhatur afër dhe shpesh herë poshtë normës bazë. Interesat njëditore kanë qenë më të qëndrueshme gjatë këtij tremujori, ndërsa diferenca e tyre me normën bazë nuk ka ndryshuar nga tremujori i kaluar. Banka e Shqipërisë ka vijuar të kryejë operacionet e rregullta për injektimin e likuiditetit në sistemin bankar.
Instrumenti kryesor i përdorur (marrëveshje e anasjellë riblerje repo me afat 7-ditor) është shoqëruar edhe me atë me maturim 1- dhe 3-mujor. Likuiditeti i injektuar në sistem ka qenë lehtësisht më i madh se ai i periudhave paraardhëse, ndërkohë që norma e interesit e rezultuar në këto ankande ka qenë vazhdimisht afër normës bazë.
Mesatarisht, norma mesatare e interesave njëditore në tremujorin e katë rezultoi 2.38%, ose 0.09 pp më poshtë nga ajo e tremujorit të mëparshëm, ndërsa ajo shtatëditore zbriti në 2.40%, nga 2.52% që ishte tre muaj më parë.
Bankat kanë rritur volumin e transaksioneve ditore me 0.2 miliardë (1.9 miliardë) dhe atyre javore me 0.7 miliardë (6.8 miliardë) nga tremujori i tretë