Lando Norris ka vendosur njërën dorë te titulli kampion në Formula 1. Piloti i McLaren, pasi fitoi garën sprint të shtunën, ia ka dalë të triumfojë edhe në Çmimin e Madh të Brazilit, duke shkuar 24 pikë më shumë se shoku i skuadrës Oscar Piastri, i cili vetëm para 2 garash konsiderohej favoriti i madh i këtij sezoni.

Në vendin e dytë u klasifikua 19-vjecari italian Kimi Antonelli, që arrin rezultatin e tij më të mirë në karrierë pas një gara mjaft të mirë. Në xhirot e fundit ai arriti të mbajë pas 4 herë kampionin e botës në Formula 1, holandezin Max Verstappen me Red Bull, që u rendit i treti. Një garë e jashtëzakonshme për Verstappen, që e nisi atë nga pit-lane (vendi i fundit) dhe në fund arrin të ngjitet në podium.

Një garë zhgënjyese në San Paolo për Ferrari-n, e pafat me të dy pilotët, që u detyruan të tërhiqen për shkak të aksidenteve dhe problemeve. Në vendin e katërt u rendit britaniku George Russell me Mercedes, që arriti të lërë pas Oscar Piastri me McLaren. Piloti australian u penalizua me 10 sekonda nga komisarët, pasi ishte ai që shkaktoi aksidentin që nxori jashtë gare Charles Leclerc në start.

Me kryeveprën në Interlagos Max Verstappen, 4 herë kampioni i botës, vijon të mbetet në garën për pilot edhe pse janë vetëm 3 gara deri në fund të sezonit. Holandezi është 49 pikë larg Lando Norris, ndërsa pilotët kanë nisur të bëjnë llogaritë për Çmimin e Madh të Las Vegasit që mbahet më 22 nëntor.