Notat e Shqipërisë: Silvinjo, si e le në stol Hoxhën dhe Brojën? Ajeti 'harron' Gjimshitin, 'zhduket' Bajrami

Notat e Shqipërisë: Silvinjo, si e le në stol Hoxhën dhe Brojën? Ajeti 'harron' Gjimshitin, 'zhduket' Bajrami

Shqipëria mbylli aventurën në këtë “Euro 2024” me kokën lartë. Pavarësisht humbjes, kuqezinjtë, zhvilluan edhe ndaj Spanjës një performance dinjitoze.

Më poshtë do të gjeni vlerësimet për disa prej lojtarëve në ndeshjen Shqipëri-Spanjë 

Strakosha (5.5): “Ndryshe nga Kroacia, nuk e ka më të njëjtin shkëlqim. Nuk ofron shumë siguri në portë, veçanërisht në pjesën e parë. Grushton disa topa që mund të kontrolloheshin pa problem dhe topin e linte në mëshirë të fatit. Me këmbë gabon në disa raste duke ia dhënë kontrollin Spanjës, por nuk ka asnjë peshë faji në rezultat dhe në golin e pësuar”.

Gjimshiti (6.5): “Me fat që e kemi, ndoshta i vetmi lojtari i Shqipërisë që ka bërë tre ndeshje brilante në këtë Europian, duke mos çaluar apo venitur te asnjë prej ndeshjeve. Thuhet se lojtarët e mëdhenj dallohen në detaje të tilla dhe Gjimshiti është i madh edhe te Shqipëria dhe Atalanta”.

Ajeti (7.5): “Çfarë lojtari fantastik. Në këto vitet e fundit, i vetmi njeri që i ka ulur rëndësinë të pagabueshmit Berat Gjimshiti të paktën për një ndeshje, brilant. Ka marrë përsipër shumë situata duke thyer aksionet e spanjollëve dhe duke rinisur aksionet tona sulmuese. Duhet të urojmë që të rikthehet në mesin e kampionateve më të forta të Europës”.

Balliu (5.5): “Ndoshta nuk është si rasti i Hysajt, për të dalë keq në momentin e fundit, por bën po gabime të mëdha në mbrojtje. Grimaldo ishte lojtari më i rrezikshëm te Spanja, krosimet e tij ishin si një goditje fatale në drejtim të portës tonë, çdo top i harkuar në perfeksion dhe Balliu që nuk ndërhyn asnjëherë në pjesën e parë, duke lënë Grimaldon të krosojë lehtësisht, për t’ia lënë më pas detyrën mbrojtësave të tjerë që të largojnë topin. Një gabim i madh ky, ndërsa edhe në aksionet sulmuese, nuk bën diçka për t’u mbajtur mend”.

Asllani (7): “Lojtar i kalbrit tjetër, brilant. Mënyra sesi pason, mënyra sesi godet, mënyra sesi i shmanget lojtarit kundërshtarë, mënyra sesi del mes tre futbollistëve rivalë, tregon se Asllani nuk është më nga ata lojtarët që ne shpesh themi që kanë grintë dhe gjak pasi nuk kanë asgjë tjetër veç tyre, Kristjani është lojtar klasi, teknik dhe me shumë tru”.

Bajrami (5.5): “Zhduket në momentin e gabuar, në ndeshjen tonë finale. E nis në krahun e Seferit, ashtu si luajti me Kroacinë. Përballë tij kishte një 38-vjeçar, Navas, por Bajrami fiket në krahë. Nuk nis thuajse asnjë aksion të rrezikshëm nga krahu, padyshim ndeshja e tij më e dobët e këtij Europiani dhe ndoshta, më e dobëta që nga koha e Silvinjos. Kjo nuk duhej, sot jo, por edhe Nedimi, është njeri mbi të gjitha bashkë me luhatjet e tij”.

Manaj (5): “Silvinjo beson sërish te Manaj, por lojtari nuk arrin dot të përsëris veten si ndaj Kroacisë. Humb çdo duel kundër mbrojtësave spanjollë, rrëzohet në çdo duel me kundërshtarin dhe arbitri nuk e akordon kurrë një faull në favorin tonë. Dukej tërësisht jashtë loje”.

Lojtarët nga stoli

Hoxha (7): “Ka një shkëndijë si Armando Broja në kohën e artë para dëmtimit. I merr zvarrë të gjithë kundërshtarët, nuk dihet se përse Silvinjo e la jashtë formacionit titullar. I mrekullueshëm në pak minuta ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës. Thuhet se nuk bën mirë në detyrat mbrojtëse, por sa topa ka rikuperuar Hoxha në ato pak minuta dhe thyerje aksionesh që i ka bërë spanjollëve, nuk i ka bërë askush tjetër. Futet në një moment që ndeshja e kishte marrë drejtimin e saj, kërkon t’i bëjë të gjitha vet, por për fatin e keq, nuk arrin do të shënojë. Përpos të gjithave, përpos aftësive të tij brilante, është një lojtar që pason shumë dhe vetëm për t’u duartrokitur. Ilaç për sytë”. Është një lojtar kampion i Dinamos së Zagrebit, një shkollë futbolli për Europën që prodhon futbollistë të nivelit më të lartë, e pyesni veten që përse luan atje? Sigurisht, se është një lojtar i klasit të lartë”.

Broja (6.5): “Duhej që në minutë e parë, nuk ka asnjë diskutim. Disa thonë se është më i dëmshëm kur vjen nga stoli, por kur erdhi sot nga stoli, ndeshja kishte marrë fund dhe mund të kishte marrë fund akoma më shumë, nëse Spanja do të kishte shënuar edhe golin e dytë. Atëherë, çfarë do të bënte Broja? I merr me vete 2 lojtarë të Spanjës gjithmonë dhe kjo do të thotë se hap hapësira më shumë në fushë për lojtarët e tjerë që mund ta shfrytëzojnë mungesën e vëmendjes ndaj tyre. Kërkon të bëj çdo gjë në pak minuta si Arbër Hoxha dhe kjo ia humb disi vlerësimin më të lartë, por është lojtar klasi, qoftë edhe i dëmtuar apo në formën jo më të mirë, diçka duhet të kuptohet qartë, Chelsea nuk sjell lojtarë të nivelit të dobët”.

Silvinjo (5.5): “Është e vërtetë që Shqipëria e Silvinjos na ka dhuruar kaq shumë emocione të mëdha. Por ka bërë disa gabime dhe ka mësuar nga ky Europian po aq sa ne, nuk arriti dot të ishte një hap përpara. Nëse i gjithë stadiumi thërriste në kor emrin e Armando Brojës, tregon se diçka nuk shkonte. Armando Broja dhe Arbër Hoxha në stol në një ndeshje që duhej të fitohej me patjetër. Nuk futen në fushë as në fillim e pjesës së dytë, kur rezultati ishte 0-1 për kundërshtarin, cila ishte ideja? Manaj humbi çdo duel në pjesën e parë, edhe tifozi i fundit i Shqipërisë e dinte se Arbër Hoxha do të bënte spektakël në krahun e majtë. Përse u prit kaq gjatë? Silvinjo analizoi me detaje çdo lojtar të Italisë, Kroacisë dhe Spanjës për 3 muaj me radhë, madje u tha se kishte analizuar edhe arbitrat sesi e mbanin lojën dhe kush prej tyre jepte më lehtë kartonët, por në fakt, kishte harruar pak që të studionte vlerat reale të lojtarëve të Shqipërisë. Peng për tre pikë të humbura ndaj Kroacisë dhe peng për një pikë të lënë sot kundër një Spanje që ndërroi 10 lojtarë nga 11 në total. Të paktën, Arbër Hoxha e meritonte sot që të luante nga minuta e parë ndaj Spanjës. Dhe nëse Arbër Hoxha nuk do të bënte detyrat mbrojtëse dhe do t’i anashkalonte në një ndeshje historike, në një 90 minutësh historik për të gjithë shqiptarët, atëherë do të ishte i gjithë publiku që do ta kritikonte dhe do të duartrokiste Silvinjon për gjithçka bëri deri tani sepse sa i përket aftësive sulmuese, Arbër Hoxha thjeshtë nuk e ka një të dytë te kjo Shqipëri”.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!