Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë këtë të enjte në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i zhvilluar në Bruksel, ku u diskutuan prioritetet e Aleancës për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e ruajtjes së unitetit mes vendeve anëtare, rritjes së gatishmërisë operacionale dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse përballë sfidave dhe kërcënimeve të sigurisë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet aleatëve, investimet në mbrojtje dhe modernizimi i kapaciteteve ushtarake janë elementë kyç për garantimin e paqes dhe sigurisë.

“Bashkëpunimi ndërmjet aleatëve, investimet në mbrojtje dhe modernizimi i kapaciteteve ushtarake janë garancia më e fortë për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”, shkroi ministri.

Duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, ministri nënvizoi ndër të tjera se: “Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri në kuadër të NATO-s si një aleate e përkushtuar dhe e besueshme, duke forcuar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon e më gjerë.”