Tragjedia e ndodhur në Durrës, ku dy vogëlushëve iu ndërpre jeta në mes pasi u përplasën nga një shofer në gjendje të dehur, nuk është thjesht një tjetër “çudi që zgjat 3 ditë” por një alarm i fortë për mënyrën si funksionon shoqëria shqiptare dhe shteti përballë sigurisë rrugore.
Sipas ekspertëve të ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, kjo ngjarje duhet të shërbejë si pikë kthese, pasi nxjerr në pah një sërë problemesh që nuk lidhen vetëm me një individ të vetëm, por me një zinxhir të tërë përgjegjësish, nga shoferët, tek institucionet ligjzbatuese dhe vetë kuadri ligjor.
Eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, ishte i prerë në qëndrimin e tij, duke kërkuar ndryshim rrënjësor të mënyrës si trajtohen këto raste. Sipas tij, ajo që ndodhi në Durrës nuk mund të konsiderohet një aksident rrugor, por një vrasje me paramendim. Muzhaqi thekson se një shofer që pi dhe ulet në timon është i vetëdijshëm për rrezikun që krijon, ndërsa makinën e krahason me një armë shumë të rrezikshme.
“Unë mendoj që një kategori e caktuar aksidentesh nuk duhet ti konsiderojmë si aksidente rrugore. Duke nisur nga përdorimi i alkolit apo lëndëve të tjera psikotrope, ..nuk është vetëm çështje sigurie, por cedim i shoqërisë në shumë rruaza të zinxhirit funksional. Çdo vepër penale që kryhet nën dikimin e lëndëve psikotrope apo dhe alkolit duhet të konsiderohet si vepër me dashje dhe qellim. Pra duhen ndryshime në Kodin rrugor dhe Penal. Duhet të ketë ndryshime të rëndësishme ku shkeljet e kryera nën ndikimin e alkolit dhe lëndëve psikotrope duhet të konsiderohen si vepra penale dhe aksidentet me pasojë vdekjen duhet të konsiderohet vrasje me dashje dhe paramendim. Një njeri që ka patentë dhe përdor lëndë alkolike dhe lëndë psikotrope, duhet ta ketë të qartë që ai është vrasës i lirë. Procesi i marrjes së patentës duhet të kalojë në një rishikim të fuqishëm. Ne e konsiderojmë makinën si mjet pune, por duhet të konsiderohet si armë, madje më e rrezikshme se vetë arma e zjarrit. Nëse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka vënë re shkelje të zinxhirit drejtues, e meritojnë shkarkimin, por mënyra si po funksionojmë si shoqëri ku përdoren lëndët narkotike dhe alkolit duhet që çdo shkelje ligji duhet të konsiderohet vepër penale. Rasti aktual nuk është aksident por vrasje me paramendim” tha Muzhaqi.
Po çfarë thotë neni 140/9 i Kodi Rrugor?
"Kushdo që tejkalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me më shumë se 30 km/orë por jo më shumë se 50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe më shumë se 20 km/ore por jo me shume se 40 km/ore në qendrat e banuara, ndëshkohet me gjobë nga 5000 deri ne 15,000 Lek. Kur zotëruesi i lejes së drejtimit në një periudhë 2 vjeçare ka kryer shkelje të përsëritura të pikave 9 dhe 9/1 te këtij neni, leja e drejtimi pezullohet per 8 deri ne 18 muaj"
Por për avokaten Greta Ambeli, këto masa janë larg asaj që kërkon realiteti shqiptar.
“Afati për heqjen e lejes së drejtimit duhet të jetë mbi 5 vjet dhe personi që kryen shkeljen të rikthehet në bankat e shkollës. Pavarësisht faktit se policia dhe shërbimi rrugor duhet të jenë aty në pikat më të nxehta rrugore, ndërgjegjësimi duhet të fillojë tek secili prej nesh. Ne duhet të kuptojmë që në momentin që ndodhemi në gjendje të dehur, nuk duhet të hipim në makinë” tha ajo.
Ajo theksoi gjithashtu se autorët duhet të përballen me pasoja të rënda financiare, deri në konfiskim pasurie dhe detyrim për të dëmshpërblyer familjet e viktimave për gjithë jetën.
“ Njerëzit duhet të kuptojnë që shoferi që kryen shkeljen do të paguajë faturën finale. Përveç dëmit psikologjik të shkaktuar, ai duhet të kuptojë që dëmshpërblimin total do ta paguajë ai. Kjo mund të çojë në konfiskimin e pasurive të tij, marrjen e pagës për të gjithë jetën, pra ai do të detyrohet ti dëmshpërblejë familjarët e viktimave” tha ajo.
Sipas Ambellit, problem mbetet edhe mungesa e kontrollit në terren, identifikimi i dobët i zonave problematike dhe mungesa e një strategjie afatgjatë nga institucionet.
“Vihet re dhe një mungesë koordinimi në planet strategjike të shërbimit rrugor. Ka mungesë monitorimi të qëndrueshëm të qarkullimit në zonat rezidenciale, pra duhet të kemi një prani më të shtuar të policisë, duhet të kemi kontrolle të vazhdueshme të drejtuesve që janë nën efektin e alkolit. Duhet të ketë edhe ndryshime në kodin rrugor që të rritet masa e pezullimit të lejes së drejtimi. Elementi i 3 është mungesa e identifikimit të pikave të nxehta. Problemi është që shteti duhet të trajtojë problematikat e ngritura nga ekspertët. Dueht të ketë një strategji dhe plan afagjtatë në evidentimin e akseve problematike, por edhe një plan nga Ministria e Arsimit për edukimin e brezave sa i përket ngarjes së një automjeti” tha Ambeli.
Ekspertët ranë njëzëri dakord se pa masa konkrete, pa ashpërsim të ligjit dhe pa përgjegjësi reale nga çdo hallkë, që nga individi deri te shteti, rrugët në Shqipëri do të vazhdojnë të marrin jetë. Dhe në këtë pikë, siç e theksuan ata, nuk bëhet më fjalë për “aksidente”, por për vrasje të paralajmëruara që mund dhe duhet të ishin shmangur.
Komente








