Nuk është në pikëpyetje fati i Lulit, por i sistemit

Kreu i PD Lulzim Basha

Pyetja e vjetër nëse Sali Berisha është ose jo pronari i panegociueshëm i Partisë Demokratike, është kthyer më fuqishëm se kurrë në skenë pas humbjes së zhurmshme të PD në 25 prill. Në fakt dilemat për këtë temë nuk janë shuar kurrë, qëkurse është parë sesi gjatë tetë vjetëve influenca e Doktorit në parti ka qenë konstante dhe qëndrimet e tij kanë përbërë sentenca thuajse të palëvizshme për linjën zyrtare të PD.

Humbja e fundit shënon një moment vendimtar për simbiozën Berisha-Basha në krye të partisë. A do të vazhdojë të përcaktojë edhe fatin e mëtejshëm të Lulzim Bashës, vullneti, qëndrimi dhe humori i Berishës ndaj tij, apo partia do të jetë në gjendje të bëjë një analizë të pavarur nga raportet brenda kësaj dysheje që ka drejtuar gjithçka në tetë vitet e fundit?!

Orët e para pasi rezultatet morën formë dhe pasi opozita mësoi se kishte humbur edhe një herë përballë socialistëve, po tregojnë se tundimi për të qëndruar jashtë sistemit, duke refuzuar rezultatin dhe bojkotuar parlamentin, janë një frymëzim që ka rrokur mendjen e shumë prej protagonistëve në selinë e demokratëve. Po flasin për qëndrim të ashpër si ata që qëndrojnë fort pas Bashës, por edhe ata që, nga pozitat e servilizmit ndaj Berishës, po bëjnë thirrje për largimin e kryetarit, por shpejtojnë të venë gjithashtu në dukje se janë për mos njohje të zgjedhjeve. Bojkoti është edhe një herë mjalti që tërheq grenzat e PD!

Ky rinovim i PD kokëposhtë, pra duke ofruar një vizion radikal, obskurantist e arkaik, si melhem për plagët e shkaktuara nga Lulzim Basha, e fut në qorrsokak të ardhmen e debatit për lidershipin e partisë. Është e kuptueshme se Lulzim Basha ka interes të anatemojë zgjedhjet, sepse nuk i fitoi ato. Është gjithashtu e kuptueshme se me anë të këtij refuzimi që i ngjan hedhjes poshtë të mandateve të vitit 2019, Basha kërkon të sigurojë mbijetesën në parti, përballë thirrjeve të shtuara për dorëheqje.

Por është gjithaq e lexueshme, ndonëse jo e kuptueshme dhe logjike, që kundërshtarët që kërkojnë kokën e Bashës, po shfaqin të njëjtin qëndrim ndaj zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes në Kuvend në shtator, si presidenca zyrtare e partisë. Eshtë e pakuptueshme sesi një ish-president si Bujar Nishani të predikojë edhe një herë bojkotin si qëndrim zyrtar të partisË, pas eksperiencës traumatike të vitit 2019.

Të dyja palët po bashkohen këto orë në pozicionin absurd të refuzimit të sistemit dhe të hedhjes poshtë, për herë të dytë, të përgjegjësive që ju burojnë nga vota që ju ka dhënë populli në 25 prill. Kur Bujar Nishani thotë se Lulzim Basha duhet të ikë, por shton me vrap se zgjedhjet duhen refuzuar, ai zbaton jo vetëm urdhërin e prerë të Berishës për t’u shtyrë jashtë sistemit politik, por edhe për ta mbajtur PD në suazën e një radikalizmi që mban era pluhur dhe që daton nga dekada e parë e pluralizmit shqiptar. Ky është haraçi që një parti paguan, kur mban në poltronin e plakut të fisit një lider historik që s’di të predikojë diçka më të mirë se sherri, tensioni dhe kultura e urrejtjes politike.

Kjo e bën dytësor fatin politik të Lulzim Bashës në krye të partisë, duke nxjerrë në pah urgjencën e mbrojtjes së sistemit nga tendencat çartiste të opozitës së çoroditur që endet prej tetë vitesh mes nostalgjisë për Sali Berishën dhe respektit formal e prej hallit të Lulzim Bashës.

Nëse PD shtyhet edhe një herë, nga hallexhinjtë që humbën në zgjedhje, apo ekstremistët që gjallojnë në zyrat e saj, që të marrë një qëndrim radikal ndaj Kuvendit në shtator, Shqipëria do të gjendet për së dyti në një krizë të thellë politike si ajo e vitit 2019, kur opozitarët hodhën mandatet nga ura e Lanës, kurse Presidenti caktonte data zgjedhjesh sipas qejfit e humorit të ditës.

Fati i zi politik që ka pllakosur dyshen Berisha-Meta mund të bëjë që kjo linjë ekstremiste, që kujtohej e arshivuar në vitin kalendarik 2019, të ridalë nga sirtaret, për t’u kthyer në manual pune për opozitën, në momentin delikat kur ajo duhet të vendosë për të ardhmen e saj. Një zhvillim jo vetëm antihistorik, por edhe tejet i rrezikshëm për vendin.

Be.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kush mendoni se duhet ta drejtojë Partinë Demokratike pas 13 qershorit?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Gruaja e shoferit të kamionit me 400 kg kokainë: Burri im është i pastër, s’e dinte çfarë kishte në mjet! Ai vetëm drejton, nuk ngarkon e shkarkon mallin