'Nuk jam për fortifikimin e PD-së', zbardhet fjala e Gjekmarkajt: Kriminale të përballen njerëzit! S'jam stërvitur për karate e boks, por PD nuk ua ka borxh dhunën

'Nuk jam për fortifikimin e PD-së', zbardhet fjala e Gjekmarkajt: Kriminale të përballen njerëzit! S'jam stërvitur për karate e boks, por PD nuk ua ka borxh dhunën

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka komentuar protestën e dhunshme të zhvilluar më 8 dhjetor në selinë blu, gjatë mbledhjes së kryesisë demokratike. Në fjalën e tij ai është dakordësuar me vendimin e kryesisë për përjashtimin Sali Berishës dhe 8 anëtarëve të tjerë të Komisionit të Rithemelimit, ndërsa ka nënvizuar se fortifikimi nuk është zgjidhje, por duhet diskutim dhe hapje e partisë. Në fjalën e tij, Gjekmarkaj ka thënë se ata që drejtuan turmën, nuk i llogaritën as për miq e as për kolegë ata brenda dhe se nuk mund të bashkëjetojë dot me ta në një parti. Më tej në fjalën e tij, Gjekmarkaj është shprehur se është kriminale të përballen njerëzit tani e tutje.

'Unë nuk mendoj se jam ndonjë trim i madh, por as për frikacak se njoh veten, por nuk jam stërvitur për karate e boks.'- është shprehur Gjekmarkaj.

Fjala e plotë e Agron Gjekmarkajt:

Dëgjova me vëmendje parafolësit ! Po e filloj aty ku e la Xhelali, tek dalja në terren ! Ne kemi dalë në takime me njerëzit nuk jemi mbyllur, por i pari që e ka këtë detyrim më shumë se kushdo është Lulzim Basha. Nuk e kam thënë ndonjëherë beteja dukej sikur është bërë në një enë. Sali Berishës i lejuat përparësinë e sulmit. Ju jeni Kryetari i partisë dhe ju u bie detyrimi t’i sqaroni njerëzit i pari, vimë edhe ne në krahun tuaj. Mbase nuk është e lehtë, do ketë edhe duf, edhe sherre, edhe provokime, por duhet t’i përballojmë. Qytetarët duhet t’ju dëgjojnë dhe jam i bindur që komunikimi sjell pozitivitet.

Nuk jam dakort me fortifikime të PD , për ta parë atë si kështjellë. PD është një institucion. Atë duhet ta mbrojë ligji pa asnjë kompleks. Nëse duhej demostruar qëndresë deritani është demostruar. Për mua është kriminale të përballen njerëzit tani e tutje. Unë nuk mendoj se jam ndonjë trim i madh, por as për frikacak se njoh veten, por nuk jam stërvitur për karate e boks.

Dita e 8 Janarit ka qenë tragjike. Në pak minuta gjithçka mund të eskalonte në ferr. Ata njerëz që drejtuan turmën kundër nesh nuk na llogaritën në as për deputet, as për koleg, as për miq e as për njerëz. Nuk patën emocione për këtë. Ishin të qartë pa llogaritur që na kanë “shkarkuar” me 11 Dhjetor. Na sulmuan me egërsi, me mjete dhune faqe gjithë botës. Ndonjë e dija per mik, dhe unë kurrë nuk do shkoja ta sulmoja dhe t’i vija në rrezik jetën e integritetin personal e publik. Sado i krishterë që ndihem kulturalisht e kam të veshtirë bashkëjetoj me persona të tillë. Ndaj mbështes çdo vendim që kjo kryesi merr sonte për të ndëshkuar dhunën e datës 8 Dhjetor duke shpresuar që dikush do distancohet prej saj.

PD nuk jua kishte borxh atë dhunë, ne jo e Shqipëria jo e jo. Prania në politikë këto muaj të trishtë më ka mësuar ndonjë gjë. Përveç punicionit ( ndëshkimit) të detyruar duhet një ofertë politike, një zgjidhje! Do ju thoja Zoti Basha ikni nëse kjo do ishte zgjidhja, nuk e them këtë sepse ikja jua lë fushën bosh për një kundërshtar që i ka shpallur luftë perëndimit dhe luftë fizike ne të gjithëve. Por kjo Parti ka nevojë të bëhet dhe kjo nuk bëhet me njerëz që ju bëjnë komoditet ju, ka nevojë që secili këtu të vihet në diskutim, të gjitha këto organe, duhet të rikthehen te njerzit te PD, personalitetet, themeluesit.

Kemi folur gjithmonë për bashkim e ai s’ka ndodhur. Bashkim nuk do të thotë të mbash fjalime. Bashkim e hapje nuk do të thotë që të vijnë te kafja e PD e të pijnë kafe me ne. Bashkim do të thotë të ketë Kuvend, riformatim të Këshillit Kombëtar, të kryesisë së PD që ata të jenë krah jush në vendimarrje. Nuk është konformizmi sado i pëlqyesh që ju rikonfirmon si Kryetar legjitim apo si Kryeministër nesër, por debati , tensioni i vazhdueshëm, personalitetet e forta. Njerzit duan ofertë politike, projekt vizion si del nga kjo gjendje PD dhe Shqipëria. Duke përfunduar i bashkohem frymës së kësaj mbledhjeje pa ekuivok meqenëse abstenimi për ndonjë mik nuk është obsion.


Lajmi kryesor:

Kryesia e PD me 'dorë të hekurt'! Berisha përjashtohet nga partia që themeloi e drejtoi 22 vite! Basha 'shkrin' Komisionin e Rithemelimit, largon 8 anëtarë,pezullon 19 të tjerë! I mbeten 42 deputetë


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë