Nuk lëshoni kuponin tatimor dhe kontrollet ju kapin '3 herë mat'?! Ministrja Denaj bën paralajmërimin e rëndë

TIRANE -  Nëse një biznes evidentohet tre herë radhazi nga Tatimet që nuk lëshon kuponin tatimor, atëherë përgjegjësit do të ndiqen penalisht.

Ka ende biznese që edhe me disa paralajmërime radhazi nga drejtoria e Tatimeve, vijojnë të mos lëshojnë kuponin tatimor. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha sot gjatë inspektimeve në Tirnë në kuadër të aksioni anti-informalitet, se në rastin e konstatimit të shkeljeve për herë të tretë të kuponit tatimore, përgjegjësit do të ndiqen penalisht nga organet kompetente të drejtësisë.

"Është e rëndësishme të kuptohet se duhet të pritet kupon tatimor edhe në hyrje të lokaleve të natës për të shmangur penalizimet drastike. E kërkojmë këtë pasi nuk do të donim të ishim as në pozitat e vendosjes së shiritave dhe as të ndjekjes penale”, tha ministrja Denaj.

Edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ervin Hoxha, tha se gjatë kontrolleve të ushtruara janë konstatuar lokale me xhiro të lartë, që kanë shmangur detyrimin për të prerë kupon tatimor.

“Kemi vënë re tendenca për mosdeklarim dhe mos përmirësim të xhiros nga këto subjekte, që janë me risk të lartë. Ju bëjmë thirrje që të vetëpërmirësohen dhe vetëdeklarohen sepse kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë që të përmirësojmë këtë situatë”, tha Hoxha.

Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm në luftën kundër informalitetit është edhe ndryshimi i ligjit të Procedurave Tatimore, si pjesë e paketës “Moneyval”, për të cilin Denaj kërkoi bashkëpunim e tatimpaguesve për zbatimin e plotë të tij.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë i bëri apel tatimpaguesve të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Administratës Tatimore të hapin llogari bankare të  biznesit të tyre, jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji (data 26.07.2019) dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore. Ndërsa, tatimpaguesit e regjistruar rishtas janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në QKB/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në organet tatimore.

“Ju lutemi tatimpaguesve të hapin llogaritë bankare, të regjistrojnë biznesin sipas procedurave ligjore. Nëse respektojmë rregullat, respektojmë ligjet shqiptare, atëherë do të kemi më pak inspektime, një marrëdhënie korrekte dhe garantim të konkurrencës së ndershme në treg”, tha ministrja Denaj.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump