"Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë". Kështu deklaroi dy ditë më parë Matthew Palmer, zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit për krizën politike që ka mbërthyer Shqipërinë prej shkurtit të këtij viti kur opozita dogji mandatet dhe doli në rrugë me protesta, madje duke bojkotuar edhe zgjedhjet. Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur sot në mënyrë indirekte zyrtarit të lartë të SHBA-së përmes një postimi në rrjetet sociale. Kreu i shtetit në videon e publikuar duke ngjitur malet këmbëzbathur thotë se pas një terapie me ujë bore i ka lindur pyetja që sipas tij iu drejtohet atyre që bëjnë si të paanshëm, por i akuzon se kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe kryeministrit tonë.

Sa i përket 30 qershorit, Palmer tha se kjo çështje nuk i takon të gjykohet nga SHBA-ja, por nga Gjykata Kushtetuese teksa vuri theksin për krijimin e saj në një kohë sa më të shkurtër. Por Meta ngre pyetjen se përse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, sipas tij Presidenca, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, pra Gjykatës Kushtetuese, që ende nuk është ngritur.  Në fund të postimit të tij, Meta përmes një tjetër pyetje ngre edhe një akuzë të fortë për ndërkombëtarët; Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?

"Mirëmëngjes të dashur miq! Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike: Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar? Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor? Ju uroj një fundjavë të mbarë" shkruan Meta.

Zyrtari i lartë i DASH-it, deklaroi para dy ditësh se SHBA-ja mbështet sundimin e ligjit dhe institucionet shqiptare. "Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë" theksoi ai. Presidenti Meta në muajt e fundit ka pasur qëndrime të herëpashershme kundër ndërkombëtarëve.