
Pasi SPAK njoftoi se grupi i PD ka refuzuar të marrë fletëthirrjen për Berishën lidhur më çështjen e 21 janarit, Gazment Bardhi i ka dalë në mbrojtje kryetarit të tij. Edhe Bardhi pretendon se deputetëve të PD nuk i është dërguar asnjë fletëthirrje, ndërsa sulmon SPAK duke i thënë se po përdoret për propagandën e ditës të inskenuar nga mazhoranca.
Bardhi shkruan se SPAK nuk mund të keqinformojë median mbi fakte të shtrembëruara për interesa politike nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Kreu i grupit parlamentar të PD, ka postuar gjithashtu dhe kutinë postare në Kuvend që i përket Berishës e fotograruar bosh.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka dërguar asnjë njoftim drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe për pasojë stafi politik i grupit nuk ka patur çfarë të refuzojë.
Referimi nga SPAK i një gënjeshtre të thënë nga Kuvendi i Shqipërisë meriton vetëm përbuzje. Vetë SPAK ishte në dijeni të faktit se nuk ka dërguar ndonjë njoftim drejtuar Grupit tonë Parlamentar dhe për pasojë nuk mund të keqinformojë median mbi fakte të shtrembëruara për interesa politike nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme apo vetë Kuvendi është në dijeni të rolit dhe përgjegjësive të një grupi parlamentar dhe stafeve të tyre politike, ku “ofrimi i shërbimeve postare” nuk hyn në fushën tonë të përgjegjësisë!
Rezulton e provuar se në kutitë postare të asnjë deputeti të grupit tonë parlamentar, që ndodhen brenda ambienteve të Kuvendit, nuk ka të depozituar asnjë njoftim të dërguar nga SPAK nga ana e administratës së Kuvendit të Shqipërisë.
Sa më lart, shprehim keqardhje për keqpërdorimin politik të Prokurorisë së Posacme, për propagandë dite të inskenuar nga mazhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Gazment Bardhit.

Foto e publikuar nga Gazment Bardhi, me sirtarin e Berishës bosh në Kuvend
Lajmi kryesor:
21 janari/ Berisha fshihet dhe nuk shkon të japë llogari! Lojë me fletëthirrjen, SPAK: E refuzoi dy herë! Nëse s'shkon herën e tretë, shoqërohet nga Policia












