Kryeministri Edi Rama, nga Forumi i Paqes në Paris, tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk duhet të bëhet me rrugë të shkurtra apo duke kapërcyer etapat, por duhet të bazohet te meritat e çdo vendi. Duke folur për mundësinë e një anëtarësimi të përshpejtuar të Ukrainës, Rama theksoi se këtij vendi duhet t’i njihen meritat për luftën që po bën, por se procesi i integrimit është po aq i rëndësishëm sa vetë anëtarësimi, pasi ndihmon vende si Shqipëria të ndërtojnë dhe forcojnë institucionet e tyre.

Deklarata e  Ramës:

“Unë besoj që Ukrainës duhet t’i njihen meritat, sepse po lufton jo vetëm për veten, por edhe për Europën. Unë besoj se në paketën e re të zgjerimit ka qartësi rreth katër vendeve që konsiderohen se janë në pararojë, që janë Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia.

Procesi i anëtarësimit është gjëja më e mirë që mund të na ndodhë. Ne nuk jemi Franca, por një vend që vijmë nga një e shkuar shumë e errët. Jemi me një traditë shumë të vogël të shtetit, institucioneve që mbajnë vendin, ndaj BE është bekim, sepse na jep instrumentet për të ndërtuar shtetin tonë.

Besoj se procesi është i gjatë, por i nevojshëm. Askush nuk duhet ta tejkalojë shansin, sepse është njësoj si të marrësh patentën pa ditur si t’i japësh makinës. Procesi i mbështetur në meritë duhet të vazhdojë. Çdo vend duhet të bëjë detyrat e shtëpisë e të ulet rreth tryezës. Nëse do të marrësh më shumë nga tryeza, duhet të bësh më shumë. Kjo është mënyra e ndryshimit të paradigmës së proceseve që nuk mbarojnë kurrë.”


Lajmi kryesor:

'Protestat në Tiranë si një tenxhere ku zien gjithçka, nga Irani te opozita', Rama në Forumin e Paqes në Paris: Synojmë mbylljen e negociatave me BE-në në 2027!