Masakra në shtratin e lumit Mat vazhdon. Ekskavatorët punojnë të pa shqetësuar duke mbushur kamionët me zhavorr. Në Urën e Zogut në Milot ku makineritë e rënda po marrin zhavorr fare pranë urës që është një monument kulture. Rrjedha e ujit godet vazhdimisht këmbët e urës duke i dobësuar ato. Betoni rreth tyre nuk ekziston dhe mbahen vetëm me shufra metalike.

E njëjta situatë është edhe në urën e Matit, në rrugën e vjetër të Lezhës, ku vazhdon gërryerja e shtratit të lumit, duke dëmtuar këmbët e urës. Kamera e Report Tv përgjatë rrugëtimit në akset nacionale Laç-Lezhe dhe Milot-Mirditë filmoi disa lavatriçe rërë të cilat kanë leje shfrytëzimi për inertet e lumit.

Grupi i xhirimit u ndal edhe në fshati Skuraj, ku nga gërryerja e vazhdueshme, lumi ka nisur të përpijë tokat. Eksperti i Mjedisit Jak Gjini thotë se shtrati i lumit është devijuar, duke u kthyer në një rrezik serioz.

"Devijimet e rrisin shumë riskun e përmbytjes, aq më teper që argjinaturat në dy krahët gjatë periudhës së shfrytëzimit janë dëmtuar argjinaturat mbrojtëse nga mjetet e rënda. Po kështu edhe penat mbrojtëse që mbajnë rrjedhën e lumit janë dëmtuar. Pra është një situatë kritike", u shpreh eksperti për Report TV.

Sipas ekspertit Gjini zgjidhja e këtij problemi është ndalimi i shfrytëzimit  dhe disiplinimin i rrjedhës së lumit.

"Kërkohen ndërhyrje të forta, vendosja e penave pastaj duhen ndërhyrje të tjera, si barrierat mbrojtëse dhe restaurimi i argjinaturave", u shpreh Jak Gjini.

Dy ditë më parë policia e Lezhës dhe Inspektorati i Mjedisit dhe Territorit proceduan penalisht tre persona dhe vendosën 6 milionë lekë gjoba ndaj subjekteve që u kapën duke punuar pa leje shfrytëzimi në shtratin e lumit. Ndërhyrja për mbrojtjen e lumin konsiderohet e vonuar dhe e pamjaftueshme, pasi shfrytëzimi pa kriter ndër vite ka sjell pasoja të rënda.