SHKODËR- Një polic në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit është ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas hetimeve, polici ka lejuar të kalonte kufirin një malazez që rezultonte në kërkim nga Interpoli. Ndonëse, malazezi nga verifikimi në pikën e kontrollit rezultoi në kërkim, polici e ka lejuar që të largohet përmes pikës në Hanin e Hotit.

"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër - Lezhë), ka ekzekutuar urdhërin e ndalimit të punonjësit të policisë Inspektor P.Q., me detyrë Kontrollor pranë Pikës së Kalimit Kufitar Hani i Hotit, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet rezultoi se punonjësi i policisë nuk ka marrë masat për ndalimin e një shtetasi malazez, i cili gjatë verifikimit nga pika e kontrollit, rezultoi në kërkim nga Interpoli", njofton policia. 

Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë në këtë ngjarje.