Jakup Krasniqi nuk mund të qëndronte asnjë moment vetëm me bashkëshorten e sëmurë gjatë vizitës së tij në Kosovë. Pranë tyre duhej të ishin të pranishëm gjatë gjithë kohës zyrtarët e sigurisë së Gjykatës Speciale, të cilët duhej të dëgjonin edhe çdo bisedë mes bashkëshortëve.
Ky ishte një nga 16 kushtet që Prokuroria e Speciales kishte kërkuar t’i imponoheshin ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë vizitës katërditore për arsye 'humanitare' në Prishtinë.
Kushtet janë bërë publike në një parashtresë të Gjykatës Speciale, gjashtë ditë pasi Krasniqi përfundoi vizitën në Kosovë dhe u rikthye në Hagë.
Siç raporton Gazeta Express, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës kishte kërkuar që gjatë të katër ditëve të qëndrimit në Prishtinë të qëndronte në shtëpinë e tij, pranë bashkëshortes dhe familjes. Prokuroria e kishte kundërshtuar kërkesën, duke kërkuar që Krasniqi të mbahej në ambientet e paraburgimit në Kosovë gjatë gjithë kohës që nuk zhvillonte takime me familjarët.
Kufizimet e kërkuara nga Prokuroria shkonin deri te ndalimi i përdorimit të lapsit dhe letrës, ndërsa Krasniqit nuk i lejohej të merrte apo të jepte asnjë send gjatë takimeve me familjarët.
Prokuroria kishte kërkuar gjithashtu që të gjithë personat që nuk ishin autorizuar paraprakisht për ta takuar Krasniqin të largoheshin nga banesa gjatë vizitave të tij.
Një prej momenteve më të dhimbshme të vizitës ishte ai kur i vëllai i Krasniqit priste ta shihte nga ballkoni, pa pasur mundësi ta takonte.
16 kushtet e kërkuara nga Prokuroria e Speciales:
1. Krasniqi të qëndronte gjatë gjithë kohës nën paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
2. Të mbahej në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Kosovë gjatë gjithë kohës që nuk zhvillonte vizitën familjare.
3. Të ishte gjatë gjithë kohës nën shoqërimin e zyrtarëve përcjellës.
4. Zyrtarët përcjellës të kishin të drejtën të merrnin çdo vendim që e konsideronin të nevojshëm për sigurinë, përfshirë ndërprerjen e parakohshme të vizitës.
5. Krasniqi të mos qëndronte vetëm me asnjë person në asnjë moment dhe të ishte vazhdimisht brenda fushëpamjes dhe dëgjimit të zyrtarëve përcjellës.
6. Të mos takohej apo të kishte çfarëdo kontakti me persona të paautorizuar në ambientet e përcaktuara dhe të miratuara paraprakisht për vizitën.
7. Të gjithë personat e paautorizuar të largoheshin nga ambientet ku zhvillohej vizita gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj.
8. Krasniqi të mos kishte qasje në pajisje komunikimi, laps, letër apo mjete të tjera komunikimi, përveç atyre që i mundësoheshin nga Dhomat e Specializuara.
9. Të mos i dorëzonte apo të pranonte sende nga asnjë person.
10. Krasniqi, familjarët, bashkëpunëtorët dhe avokati i tij të mos informonin asnjë palë të tretë për vizitën, përpara dhe gjatë gjithë qëndrimit të tij në Kosovë.
11. Avokati të informonte familjarët e autorizuar për takime mbi detyrimin për të mos zbuluar faktin e lirimit të përkohshëm apo ndonjë hollësi tjetër lidhur me të. Të mos lejohej asnjë kontakt me mediat apo deklaratë publike për këtë çështje.
12. Krasniqi të mos diskutonte çështjen e tij gjyqësore me askënd, përveç avokatit.
13. Të mos kishte asnjë kontakt të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me viktimat dhe dëshmitarët, të mos ndërhynte tek ata dhe as në procedurat gjyqësore apo administrimin e drejtësisë.
14. Të mos kërkonte qasje të drejtpërdrejtë në dokumente dhe të mos shkatërronte prova.
15. T’u përmbahej rreptësisht çdo urdhri të mëtejshëm të trupit gjykues që ndryshonte kushtet e vizitës nën kujdestari apo e ndërpriste atë.
16. Çdo shkelje e këtyre kushteve nga Krasniqi, avokati apo familjarët e tij të sillte ndërprerjen e menjëhershme të lirimit të përkohshëm.
Vizita që përfundoi më 21 nëntor ishte e dyta e Jakup Krasniqit në Kosovë që prej transferimit të tij në Hagë në nëntor të vitit 2020. Në tetor të vitit 2024, ai ishte lejuar të kthehej në Kosovë për arsye humanitare pas vdekjes së të vëllait.







Komente
Komento