'Nuk negociojmë mandatin, do fitojmë të gjitha bashkitë, ejani në dialog'/ Fjala e plotë e Edi Ramës në Kuvend

'Nuk negociojmë mandatin, do fitojmë të gjitha bashkitë, ejani në dialog'/ Fjala e plotë e Edi Ramës në Kuvend

Kryeministri Rama u shpreh se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa ftoi opozitën që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në 30 qershor. E ndërsa përsëriti ftesën për dialog për PD-në dhe LSI-në, Rama tha se dialogu në parlament do të vijojë me opozitën e re për të çuar përpara reformat që kërkon Brukseli. 

Fjala e plotë e Edi Ramës sot në Kuvendin e Shqipërisë
E mora këtë fjalë qysh në fillim, për arsye se pastaj më duhet të largohem për të shkuar matanë detit dhe për të bërë përpjekjen time, që të shpjegoj për publikun e vendit fqinj, Italisë, se çka lajmet kanë shfaqur me ato pamje të shëmtuara dhe realisht shqetësuese nuk është një protestë popullore, por është një reagim brenda pallatit të politikës nga ajo pjesë e tërësisë së përfaqësisë politike të popullit shqiptar, që për asnjë moment nuk pati sensin e realitetit dhe të reflektimin mbi vetveten, në radhë të parë. 

Ajo që ndodh sot është vijimi i një rruge pa krye, ku e vetmja gjë e re është një vendim politikisht vetëvrasës i udhëheqjes politike të opozitës, si rezultat i humbjes së plotë të shikimit mbi vetveten dhe mbi Shqipërinë. 

Faktikisht jemi në kushtet e një sezoni të ri të një seriali të njohur. 

Nuk besoj se për ju që jeni këtu është e vështirë t’i bëni një thirrje të shpejtë kujtesës për situatën, ekzaktësisht dy vite më parë në këtë periudhë, kur në Bulevard u ngrit një çadër dhe nga ajo çadër nisi një rrugëtim për të ndërtuar një “Republikë të Re”, me kushtin e panegociueshëm për një qeveri pa Edi Ramën Kryeministër dhe tranzitore, për të garantuar zgjedhje sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga ky Parlament. 

Ne vumë interesin e vendit mbi interesin e ngushtë politik dhe bëmë një hap të panjohur në historinë e konflikteve politike në Shqipëri, duke i vënë në dispozicion opozitës të gjitha ato që kërkuan, gjithçka dhe duke marrë mbi vete pakënaqësinë e pjesës dërrmuese të mbështetësve tanë. Morën Ministrinë e Brendshme dhe të gjitha ministritë që kërkuan, Arsimin, Shëndetësinë, Financat, me idenë që këto ministri ishin ministri elektorale dhe Partia Socialiste mund t’i përdorte për qëllime elektorale. 

Pse? 

Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse këtë gjë kishin bërë kur kishin qeverinë. 

Opozita mori për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, - e dini shumë mirë sa luftëra janë bërë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në historinë e zgjedhjeve shqiptare - dhe kishin shumicën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për herë të parë. Për herë të parë u zhvilluan zgjedhje ku Kolegji Zgjedhor mbeti pa punë. Asnjë ankesë, zero. 

Pse i bëmë të gjitha këto? 

I bëmë të gjitha këto, duke kërkuar vetëm 2 gjëra: 

Kush fiton, qeveris. Kush humbet pranon rezultatin dhe bën opozitën, e para;

E dyta, jo më sharje dhe baltë për Shqipërinë në gjuhë të huaj. 

Këto të dyja ishin. S’kishim asnjë kërkesë tjetër. 

Dihet si shkoi rezultati. Dihet po ashtu se pas zgjedhjeve pati një periudhë qetësie të plotë, ku askush nuk e kontestoi rezultatin, pasi të gjithë komisionerët e opozitës, pa përjashtim, firmosën të gjitha procesverbalet pa asnjë ankesë dhe pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me shumicë të opozitës votoi 7-0 rezultatin. 

Jemi të gjithë dëshmitarë se çfarë opozite kemi pasur në këtë sallë. Një grusht njerëzish pa ide, pa asnjë program, pa asnjë sens përgjegjësie për të përfaqësuar ata që i zgjodhën dhe i sollën këtu, jo për të demonstruar muskujt, as për të dhënë shfaqjet më të shëmtuara në raport me etikën dhe mirësjelljen, që çdo familje shqiptare tradicionalisht u ka mësuar fëmijëve të vet. 

Na tërhoqën shpeshherë në batakun e tyre dhe shpeshherë u bëmë edhe ne pjesë e atij bataku, për fat të keq. E keni fare mirë parasysh se si e gjitha degradoi në një situatë të papranueshme nga asnjë aspekt i asnjë norme të bashkëjetesës demokratike mes palëve të kundërta dhe sot ne jemi këtu, në kushtet kur ata janë larguar.

Një pjesë tjetër e opozitës kanë zgjedhur dhe po zgjedhin të vijnë dhe të zënë vendet e tyre në Parlament. Është e drejta e tyre dhe është mënyra se si ata e shohin detyrimin ndaj zgjedhësve. Por ajo që ne na takon, është që Kuvendit t’i japim përmasën e halleve, të problemeve, të shpresave dhe të pritshmërive të njerëzve, duke i krijuar njerëzve mundësinë, më në fund, që nga Kuvendi i Shqipërisë të dëgjojnë se çfarë bëjmë ne në këtë proces për të cilin na kanë zgjedhur, pse ne zgjedhim të kalojmë ligjet që kalojmë këtu dhe cilat janë idetë tona dhe cilat janë masat tona legjislative lidhur me të gjithë sektorët e jetës së vendit, në funksion të përmirësimit të saj.

Çfarë do të ndodhë me ata që janë jashtë është një pyetje që zgjedhësit e tyre duhet t’jua bëjnë.

Përsa na takon, ne jemi këtu për të vijuar punën tonë dhe për të kryer detyrën tonë. Ky Parlament është vendi ku na ka sjellë shumica e shqiptarëve dhe që na kanë dhënë detyrën të qeverisim deri në vitin 2021.

Mandati ynë nuk është një letër bixhozi. Ne me mandatin nuk luajmë bixhoz, siç luajnë ata pas të cilëve qëndrojnë grupe interesash që janë mundur në betejën tonë për të bërë shtet, që nga grupi i financuesve të bixhozit e me radhë grupe të tjera, që padyshim kanë të gjithë të drejtën e tyre të jenë të revoltuar me këtë qeveri dhe të jenë të revoltuar për humbjen e shumë privilegjeve. Nuk është e rastit që një i humbur i madh, me miliona euro në industrinë e bixhozit, i qëndronte në krah liderit legjendar, duke e mbajtur në krahë dhe duke inkurajuar të tjerët që të hidhen mbi policinë. Nuk është e rastit.

Nuk është e rastit që një drejtor i lojërave të fatit, i mirënjohur si koordinuesi i të gjithë të zezave në atë industri të lumit, ishte dhe është atje, jo vetëm si protestues dhe as vetëm si inkurajues, por edhe si menaxher atje, por në fund të ditës është zgjedhje e tyre. Ajo çka duhet thënë, është se lëvizja e tyre nuk i bën dot asgjë, zero, Partisë Socialiste, shumicës qeverisëse dhe qeverisë. Nëse ka një gjë, nëse ka një zonë që nuk preket nga tymrat dhe nga gjithë këto përpjekje destruktive, është pikërisht kjo zonë, zona e politikës ku ne jemi shumicë.

Gjithçka tjetër preket.

Preket Shqipëria, sepse e tha bukur tenori i famshëm, Saimir Pirgu, më duhen 200 koncerte për të hequr nga sytë e njerëzve pamjen e gomës që digjet përpara Parlamentit të Shqipërisë.

Preket Shqipëria, sepse nuk kanë kohë njerëzit, që shohin në Itali dhe gjetkë, për të kuptuar më shumë e më thellë. Ato pamje thjesht rikthejnë fantazmën e vjetër të një Shqipërie që është në kaos, është në destabilitet, nuk ofron siguri dhe jo më të ofrojë mundësi të reja për investitorët, apo për ekonominë.

Preket Shqipëria, ndërkohë që investitorët italianë çdo ditë e më shumë janë të interesuar për Shqipërinë. Vetëm përpara pak ditësh është bërë një transaksion, ku një investitor i madh italian ka hyrë në manifakturë.

Natyrisht që kjo prek çdo shqiptar, nuk ka rëndësi, socialist apo demokrat, që ka një dyqan, që ka një pikë shitjeje, sado të vogël, sepse në këto kushte, njerëzit janë të prirur të konsumojnë më pak. E tregova historinë e luleshitëses. Është një luleshitëse që unë e njoh prej 30 vjetësh. U futa në dyqanin e saj dhe më tha, është tufa e parë me lule që po shes që nga 16 shkurti.

Natyrisht, njerëzit tërhiqen nga shumëçka që është pjesë e nevojave, apo e dëshirave të jetës së tyre, kur ndodhin gjëra të tilla, sepse krijohet pasiguri dhe nevojë për vetëmbrojtje. Është e qartë që çdo lloj shfaqje e tillë cenon drejtpërdrejtë konsumin. Kjo është ajo që u them të gjithë atyre që kanë të gjithë të drejtën të mos jenë simpatizues apo mbështetës të qeverisë sonë, por që kanë nevojë që ekonomia të vazhdojë të rritet, që kanë nevojë që kur janë të vetëpunësuar, apo kanë punësuar edhe të tjerë në një biznes të vogël, të mos cenohet biznesi i tyre.

Çfarë zgjidhin me këtë?

Asgjë tjetër, përveçse cenojnë vetveten. Secili bie vetes kur shkon pas këtij berihai.

Çfarë kërkojnë këta?

Këta kërkojnë atë që kanë kërkuar gjithmonë, të marrin pushtet në tavolinë. Këta kërkojnë atë që ne nuk mund t’ua japim dot, përmbysjen e rregullave të lojës dhe transformimin e procesit në një proces absurd, duke krijuar dhe një precedent të papranueshëm, jo për ne, por për asnjë vend, për asnjë partner ndërkombëtar të Shqipërisë, që një opozitë, kur e sheh që nuk fiton dot zgjedhjet, ikën, djeg mandatet dhe thotë anulim loje, loja fillon nga e para. Kush e pranon këtë?!

Mbi të gjitha, ne e provuam me ta. Jua dhamë të gjitha. E di shumë mirë Lulëzimi, e dinë shumë mirë të gjithë anëtarët e qeverisë që kanë qenë në atë qeverinë e zgjedhjeve, qofshin të PD-së, qofshin të PS-së, qofshin të LSI-së, që qysh nga dita që është bërë ajo qeveri, unë nuk kam shkelur asnjë ditë në Këshillin e Ministrave, kam qenë si gjithë të tjerët në fushatë dhe qeverinë e ka drejtuar zëvendëskryeministrja që vinte nga Partia Demokratike. Nuk kam shkelur asnjë ditë. Kam mbyllur zyrën, kam shkuar në fushatë.

Atëherë, shumë thjeshtë Ne vazhdojmë me edhe më shumë vëmendje, me edhe më shumë përkushtim punën tonë. Kemi shumë gjëra për të bërë, kemi plot gjëra për të korrigjuar.

Kemi bërë shumë në të gjithë sektorët. Nuk kemi pasur të gjitha mundësitë për t’i informuar njerëzit si duhet në kakofoninë dhe në tymnajën e çdo të enjteje në këtë Parlament ku është folur për gjërat më të zeza në hava, por nuk është folur për gjërat për të cilat parlamentet janë krijuar dhe për të cilat ky Parlament funksionon. Nuk është bërë njëherë një debat për një temë që i intereson publikut; Nuk është bërë njëherë një debat për taksat, një herë të vetme! Ndërkohë që ata atje i propozojnë shqiptarëve rikthimin tek taksa e sheshtë 9%, d.m.th, të gjithë bizneset e vogla, që janë palca e ekonomisë, sot që e kanë taksën nga 0-5%, duhet të shkojnë të protestojnë atje, që pastaj të vijnë ata dhe ta bëjnë 9%. Faktikisht t’jua kërcejnë edhe njëherë në kurriz, siç jua kërcyen kur kishin një pushtet. E mos e harroni kurrë, e morën sepse PS luftoi vetveten, për asnjë arsye tjetër. Ata s’kanë asnjë shans, asnjëherë, të bëhen shumicë, aq më tepër sot, kur shumica jonë është kompakte dhe është e vendosur.

Na duhet qetësi dhe na duhet vendosmëri.

Opozitën nuk e zgjedhim, e kanë zgjedhur të tjerët, por, mbase, kjo e gjitha është një e keqe e madhe që ata i kanë bërë vetes për një të mirë të madhe për vendin. Është koha që, mbase, shqiptarët të shohin se ata nuk janë e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje, ka të tjerë. Ka të tjerë që kanë ardhur sot, do vazhdojnë të vijnë, aq sa të vijnë, ka të tjerë që janë jashtë këtyre mureve dhe që mezi kanë pritur të shpëtojnë nga të njëjtat fytyra, me të njëjtin fjalor, me të njëjtat histori me libër shtëpie, që vetëm lidhje me politikën s’kanë.

Ne nga ana jonë duhet të bëjmë çdo ditë reflektimin tonë lidhur me çfarë nuk shkon sa duhet, si duhet dhe çfarë duhet dhe të vazhdojmë drejt, pa e harruar se në agjendën tonë ka punë për të bërë çdo ditë, sepse ne jemi në qeveri.

Dua ta përsëris atë që kanë thënë disa kolegë, ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim në çdo moment. Dora jonë është e shtrirë, gatishmëria jonë për të folur është gjithmonë. Ne jemi gati të dialogojmë për gjithçka, por ne nuk jemi gati dhe s’do jemi asnjëherë gati të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi, ku njerëzit zgjedhin dhe të zgjedhurit respektojnë mandatet që iu japin njerëzit dhe çdo sistemi tjetër. Këtë ne nuk jemi gati ta bëjmë.

Demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha, mandatin e marrë nga shumice dërrmuese e qytetarëve, ne nuk e negociojmë me askënd.

Dua ta nënvizoj me shumë forcë dhe me shumë qartësi, në qershor, Shqipëria ka zgjedhje vendore. Ata e dinë se s’kanë asnjë shans. E dini ju se në kafenenë e Parlamentit jua kanë thënë vazhdimisht, e dinë të gjithë ata që i dëgjojnë bisedat e tyre, e di unë se e kam dëgjuar edhe unë nga partia e tretë e opozitës, që s’kanë asnjë shans të marrin një bashki të vetme nga ato që kemi dhe kanë shumë pak shanse të ruajnë gjysmën e bashkive që kanë. Ata e dinë shumë mirë. Për të mos thënë zero shans. Ajo që na takon, është që t’i marrim të gjitha bashkitë, komplet të gjitha, që t’u japim mundësi njerëzve në Kukës, Shkodër, edhe në Tropojë po të doni, që më në fund të qeverisen nga njerëz normalë, që dinë të bëjnë qytet, zhvillim urban dhe rural, që dinë të ndryshojnë faqen e historisë së një komuniteti. Nuk duan që t’i marrim të gjitha? Urdhëro, le të vijnë në sheshin e betejës dhe të shohin ku jemi.

Iu kemi dhënë mundësinë ta bëjnë ligjin zgjedhor si të duan, bazuar tek rekomandimi i qartë i Këshillit Europian që Shqipëria duhet të miratojë një reformë zgjedhore pikë për pikë sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it. Jo që nuk kanë ardhur të bisedojnë, por kanë refuzuar të dëgjojnë.

Ne kemi bërë gjatë gjithë verës së shkuar në selinë e PS testime, duke simuluar qendra votimi, duke marrë njerëz sa nga qyteti e sa nga fshati, për të bërë votim elektronik dhe duke bërë numërim elektronik, për të pasur ne një ide, a është e mundur kjo apo jo. Bazuar në këtë testime kemi arritur në konkluzionin që po, ne mund të pilotojmë disa qendra, qoftë 2 apo 3 njësi administrative, me votim dhe numërim elektronik. Ishte kënga e mëngjesit, drekës dhe darkës, që unë e dëgjoja poshtë penxheres në atë kohën e çadrës; votim elektronik, votim elektronik, votim elektronik. Numërim elektronik mer jahu, thoshte Dashi.

I kemi gati që t’i bëjmë sëbashku. Jua kemi thënë që ditën e parë. Jo që nuk e dëgjuan, por nuk e përmendin më.

Këta janë kapur, dosja 933, dosja 126, dosja 622. Këta vazhdojnë e marrin popullin shqiptar për budalla dhe janë kapur pas fijes së telefonit, si i mbyturi pas fijes së barit, muhabete kot. Ne i themi hajde bëjmë reformë, këta vazhdojnë.

Me opozitën e re këtu në Parlament, ne do të çojmë përpara reformën zgjedhore, sa për dijeni. Ne nuk do të shkojmë në qershor në Bruksel dhe t’ju themi, na falni se nuk e bëmë dot këtë, sepse ata ikën. Ku vajtën? Nuk e dimë. Çfarë po bëjnë? Nuk e dimë. Kur do kthehen? Nuk e dimë.

Ku ishe? Asgjëkund! Çfarë po bëre? Hiç asgjë!

Këtë nuk e bëjmë dot.

Ne do të gjejmë rrugën të dialogojmë me opozitën që do të zërë vendet këtu në sallë dhe bazuar fiks mbi rekomandimet e ODHIR-it, bazuar mbi dakordësinë me të gjithë ekspertët dhe me të gjithë ata që janë specialistë të zgjedhjeve ndërkombëtare, ne do të shkojmë përpara. Ashtu sikundër ne do të shkojmë përpara edhe me votën e emigrantëve dhe pastaj do të shohim kush është shumicë në popullin shqiptar.

Faleminderit!

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen