Dhjetëtra banorë të fshatrave të zonës naftëmbajtëse Patos - Marinzë, kanë protestuar paraditen e së mërkurës përballë zyrave të kompanisë Bankers Petroleum për mospagesën ë qerasë së tokës. Ata pohojnë të indinjuar se rreth 800 banorë të fshatrave Marinzë, Belinë, Sheqishte , Zharrëz, Kallm, Frashër , Kuman, që prej fillimvitit 2026 nuk janë paguar për qeranë vjetore të tokës e cila, që nga viti 2010, është në shfrytëzim nga kompania për rrugë, parkingje , sheshe e puse nafte.
Banorët kërkojnë njëzëri respektimin e kontratës sipas ligjit dhe kundërshtojnë ndryshimin e kontratés nga njé vjetore né dyvjetore dhe përgjysmimin e çmimit të qerasë nga 400 lekë për metër katror në 200.
Banorët pohojnë gjithashtu se nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh do të kërkojnë rikthimin e tokave në gjendjen e mëparshme dhe përshkallëzimin e protestës.
“Ne kërkojmë nga kompania, me të cilin kemi nënshkruar kontratën, për atë ccmim që kemi vendosur. Kompania kërkon ta prishë në mënyrë të njëanshme dhe ne nuk biem dakord. Ne me 2 fjalë i themi kompanisë: “dakord, na i liro tokat, na i kthe në gjëndjen e mëparshme që ne të prodhojmë misër e grurë e mos të merremi me ta se njerëzit nuk kanë nge të shkojnë në zyrat e tyre” tha një prej tyre.
"Jemi këtu për të kërkuar dëmshpërblimin e tokave tona. Tokat Bankersi na i ka marrë me qera dhe nuk e respekton kontratën. Ccmimet kanë vajtur në stratosferë. Nuk na dëmshpërblen kompania. Kërkojmë të ngrejë ccmimin dhe jo ta ulë atë. Këta na i vonojnë lekët nga 6-8 muaj. Sa ishin kanadezët nuk kishim asnjë shqetësim. Nëse këta nuk na japin përgjigje sot ne do të vazhdojmë në vendburime, do bllokojmë puset sepse tokat tona i ka rrethuar me tela me gjemba” tha një tjetër
Për banorët e zonës naftëmbajtëse, qeraja vjetore e tokave mbetet një ndër burimet kryesore të të ardhurave té tyre.
Komente









