TIRANË- Gjatë javës që lamë pas, Policia Rrugore e Tiranës njofton se ka goditur 11 raste të tentativës për të korruptuar efektivët e policisë, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer.

Sakaq, 42 persona janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, për mitëdhënie dhe për shkelje të tjera. Janë pezulluar 194 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. 

Ndërkohë janë vendosur 6.687 masa administrative, për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, për parakalime të gabuara, për përdorim të aparati celular, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për shpejtësi tej normave të lejuara, për shkelje të semaforit, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për xhama të zinj, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për qëndrime të gabuara etj.

28 automjete janë bllokuar për mungesë dokumentacioni apo me targa të huaja, ndërsa janë hequr 8 targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjeteve ose ishin të çregjistruara nga vendet e origjinës.