Falë teknologjisë 'VAR' dhe orës së arbitrit, Franca ka marrë fitoren 2:1 ndaj Australisë në 'Kazan Arena', e vlefshme për Grupin C. Goli i Pogba në minutën e 80-të i sinjalizuar nga kronometri i arbitrit, i dha fitoren "gjelave" të Didier Deschamps.

Fillimisht ishte sulmuesi i Atletico Madrid, Antonie Griezmann i cili kaloi në avantazh "gjelat" nga pika e bardhë e penalltisë, pas një ndërhyrje të parregullt në zonën e rreptësisë. Akordimi i 11 metërshit u bë nga teknologjia 'VAR'. Gëzimi i francezëve nuk zgjati, pasi qendërmbrojtësi Umtitti luan "volejboll" përpara portës së Lloris dhe arbitri nuk heziton të akordojë një tjetër penallti, këtë herë kundër ekipit të Deschamps. Mile Jedinak i Australianëve barazon shifrat 1:1.

Ndërsa në minutën e 80-të ishte Pogba, i cili i ndihmuar nga fati shënon golin e dytë për Francën. Edhe për këtë gol pati sinjalizim nga teknologjia. Kronometri në dorën e arbitrit sinjalizoi Gol për 'blutë'. 

Rezultati nuk ndryshon në minutat e mbetura, ndërsa janë francezët ata të cilët i gëzohen kësaj fitorje dhe tre pikëve të marra në ndeshjen e parë të Botërorit "Rusi 2018".