Takimi ka pasur në qendër të tij kthesën e menjëhershme që kanë marrë raportet brenda koalicionit qeverisës e veçanërisht kërkesa e bashkëkryetarit të tij, Ilir Meta, për një qeveri teknike. Nëse kreu i LSIsë, Ilir Meta, do të kërkojë të krijojë një qeveri teknike, ai duhet të kërkojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë, duke propozuar kryeministrin e ri.
“Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri”, thuhet në pikën 2 të nenit 105 të Kushtetutës.
Por këtë propozim duket se e kundërshtojnë socialistët, të cilët përmes disa eksponentëve të tyre kanë mbështetur idenë e zgjedhjeve të parakohshme nëse nuk miratohet Reforma në Drejtësi. Për të shmangur një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mund të jetë vetë Rama që të kërkojë një mocion besimi të qeverisë. Nëse qeveria merr 71 vota dhe merr besimin e Parlamentit, ajo vijon punën.
Nëse nuk i merr këto vota, merr më pak se 71, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Por për të shmangur mundësinë e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë, deputetët socialistë, që duhet të kenë siguruar 71 vota në Kuvend, do të votojnë kundër qeverisë së tyre që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë qeveri dhe këtë kryeministër. “Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave.
Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit”, thuhet në pikën 1 të nenit 104 të Kushtetutës. Por pika 2 e këtij neni gati sa nuk i përplas palët në afate. “Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105”, thuhet në pikën 2 të nenit 104 të Kushtetutës.
Kjo do të bëjë që kryeministri të depozitojë sa më parë, mundësisht sot në mëngjes, kërkesën për mocion besimi ndaj qeverisë së tij, për të mos i lënë radhë Ilir Metës të depozitojë mocionin e mosbesimit, i cili mund ta rrezikonte atë me një kryeministër tjetër. Por në krye të Kuvendit është Ilir Meta dhe depozitimi i kësaj kërkese do të bëhet pranë zyrave të Kuvendit. Shpejtësinë e depozitimit të mocioneve e bën garancia e votave që palët duhet të kenë në Kuvend. Aktualisht Partia Socialiste ka 59 deputetë të sigurt në votën e tyre. Partia Drejtësi Unitet dhe Integrim e Shpëtim Idrizit me pesë deputetë është e bashkuar me qëndrimin e Ramës.
PS dhe PDIU shkojnë në 64 vota. Por në lojë janë votat e tre deputetëve të pavarur nga Partia Socialiste. Ben Blushi, Mimoza Hafizi dhe Vangjel Kosta, i sapolarguar nga Grupi Parlamentar Socialist, kanë qenë kritikët më të mëdhenj të qeverisë. Bazuar në qëndrimet e tyre ndaj kryeministrit dhe ministrave të tij, vota e tyre merr një peshë të madhe në votimin e qeverisë.
Gjithashtu, nëse tre deputetët e pavarur të dalë nga PS do të votojnë njëlloj si Grupi Parlamentar, Kryeministrit Rama do t’i duhen edhe votat e pesë deputetëve që janë pa Grup Parlamentar, si Armando Prenga, Mirela Ferracaku, Nard Ndoka, Tom Doshi dhe Vangjel Dule. Tom Doshi në votimet e fundit ka qenë votë pro maxhorancës. Ndërsa Vangjel Dule duket se është më i afruar me Ramën se më parë, kur të dy kanë shkëmbyer përfaqësim në aktivitetet e ndërsjellta partiake.
Edhe deputetja Ferracaku ka votuar njëlloj si dhe Grupi Parlamentar Socialist. Nard Ndoka me qëndrimin e mbajtur dje duket se mund të jetë më afër qeverisë. Masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” e lejon deputetin Armando Prenga që të marrë pjesë në votimin për qeverinë.
Aristir Lumezi/Panorama/
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)