Godina e rikonstruktuar e Policië së Beratit do të përmirësojë kushtet e punës së efektivëve dhe shërbimin ndaj qytetarëve, tha kryepolici Hita. Interesimit të mediave për nivelin e ulët të kriminialitetit në këtë qytet, ai iu përgjigj me vlerësime për punën e kryer, por tha se lufta ndaj shpërndarjes e kultivimit të drogës mbeten gjithnjë në fokus.
Skënder Hita: Ky është një investim shumë i rëndësishëm, i cili, përtej përmirësimit të kushteve të punës për punonjësit e Policisë së Shtetit, do t’u shërbejë drejtpërdrejt edhe qytetarëve të Beratit dhe të gjithë qarkut, duke u ofruar një shërbim edhe më cilësor. Këto ambiente moderne, të ndërthurura me profesionalizmin, etikën dhe sjelljen korrekte të punonjësve të Policisë ndaj qytetarëve, do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në forcimin e sigurisë, si për banorët e këtij qarku, ashtu edhe për turistët që vizitojnë qytetin e Beratit.
-Sipas sondazheve që kemi bërë, Drejtoria Vendore e Policisë Berat renditet e para për rendin dhe qetësinë. Si e vlerësoni këtë?
Skënder Hita: Ashtu si Drejtoria Vendore e Policisë Berat, edhe drejtoritë e tjera vendore punojnë çdo ditë për të garantuar sigurinë dhe për të përmirësuar parametrat e rendit publik në zonat që mbulojnë. Drejtoria Vendore e Policisë Berat, duke pasur një numër shumë të ulët të krimeve të rënda, renditet ndër drejtoritë me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se, për shkak të këtij niveli të ulët, ne do të ulim vëmendjen ndaj fenomeneve kriminale. Edhe gjatë takimit të sotëm diskutuam për çështje që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, si shpërndarja e lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kultivimi i bimëve narkotike, fenomene që prekin të gjithë shoqërinë. Këto problematika do të jenë në fokus të punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ashtu si edhe i të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, me synim goditjen e çdo veprimtarie kriminale dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët.
Lajmi kryesor:
Ministri Lamallari hedh poshtë lajmet për dorëheqje: Nuk merrem me portale por vetëm me punë!











