Në një kur kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare me një qeveri teknike, Partia Demokratike fillimisht pritet t’i nënshtrohet proceseve të brendshme zgjedhore, që nisin këtë janar.
23 degët pa kryetarë, që për arsye të ndryshme kanë dhënë dorëheqjen dhe që drejtohen përkohësisht nga kryetarë të komanduar, duhet të zhvillojnë zgjedhje brenda 31 janarit. Sipas udhëzimit që demokratët e kanë miratuar në fund të vitit të shkuar “pas miratimit të kandidaturave nga ana e Kryesisë Qendrore, kryesitë e degëve organizojnë takimet e kandidatëve me anëtarësinë, strukturat drejtuese të degës dhe të kenë shpalosur platformën e tyre.”
Më pas, zgjedhjet do të zhvillohen sipas parimit “një anëtar një votë”. PD ende nuk i ka caktuar datat për zgjedhjet në këto 23 degë, por pas tyre duhet të nisë një proces zgjedhore në çdo strukturë të drejtimit, nga qeliza më e vogël e partisë, degët, te kryetari i saj.
Në prill u përfundon mandati krerëve të degëve, të cilët u zgjodhën 4 vite më parë në drejtimin e strukturave vendore, vetëm pak muaj pasi Sali Berisha kishte nisur ofensivën për marrjen e drejtimit të partisë me Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit.
Në maj më pas, përfundon mandati i kryetarit dhe Sali Berisha duhet të hapë garën për të parin e partisë.
Ai ka paralajmëruar se do të rikandidojë, ndërsa deri më tani asnjë figurë nuk ka shprehur ambicie për të kandiduar përballë tij.
Në kushtet aktuale ku ndodhet PD dhe pa asnjë figurë të rëndësishme politike në luftë për t’i zënë vendin, Berisha pritet të rikonfirmohet sërish e më pas i hapet rruga zgjedhjes së kupolës nga sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarë e kryesia, që do të jenë atribute të drejtpërdrejta të tij.
Pikëpyetja më e madhe që do të shoqërojë këto procese elektorale do të jetë lista e anëtarësisë reale, në kushtet kur vetë PD e ka pranuar problemin e madh që ka, e që evidentohet sa herë ka zgjedhje të brendshme.
Komente










