Një 40-vjeçar nga Kosova u kap në pikën kufitare të Morinës pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze për trafik droge.

Nga verifikimet, rezultoi se Prokuroria e Distriktit Jugor Helsinki ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Policia thotë se po punohet për ekstradimim e tij drejt Finlandës.

Njoftimi i policisë:

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të RSh-së, 40-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar:

Sh. H., 40 vjeç, banues në Kosovë.

Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Prokuroria e Distriktit Jugor Helsinki ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e 40-vjeçarit në Finlandë.