MIRDITE- Ju duhet të ecin 3 km në këmbë për të shkuar në shkollë, por sikur të mos mjaftonte kjo ata duhet të përballen edhe me dhunën fizike dhe psikologjike që ushtron drejtoresha e shkollës ndaj tyre, kjo pasi nxënësit kanë kërkuar të drejtat e tyre. Duke mos gjetur zgjidhje tjetër 15 nxënës të shkollës 9-vjeçare "Kol Toma" në fshatin Rreja-Vele në Rubik të Mirditës kanë bojkotuar mësimin prej 4 ditësh në shenjë proteste ndaj Drejtoreshës së shkollës Albana Prenga.
 
Nxënësit dhe prindërit e tyre kërkojnë që të vendoset një furgon për transportin, pasi në mungesë të transportit këta fëmijë e kanë të pamundur që të frekuentojnë mësimin në këtë shkollë. Sipas tyre drejtoresha e shkollës i ka dhunuar dhe ofenduar ata pas parashtrimit të kërkesave të tyre parë sajë.
 
Protesta e nxënësve është mbështetur edhe nga mësuesi i kësaj shkolle Gjovalin Gjini, sipas të cilit shteti duhet të gjejë një zgjidhje pasi këta fëmijë e kanë të pamundur që të frekuentojnë shkollën.
 
Nga ana tjetër drejtori i Zyrës Arsimore në Rrëshen Gëzim Kaçorri thotë se është e pamundur vendosja e linjës së transportit në këtë zonë për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore. Sipas tij në lidhje me dhunën që ushtron drejtoresha e shkollës ndaj këtyre fëmijëve nuk ka patur ndonjë ankese nga prindërit pranë zyrës arsimore por ai ka deklaruar se këto akuza do të verifikohen.
 
E kontaktuar nga “A1 Report” drejtoresha e shkollës, Albana Prenga, nuk ka pranuar të prononcohet, ndërsa i ka mohuara akuzat e ngritura nga nxënësit dhe prindërit e tyre ndaj saj.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)