Në të kundërt të perceptimit që mund të ekzistojë në Shqipëri se vendet e lira të punës janë vetëm nëpër “Call Centre” dhe në industrinë fason, kërkesa të shumta ka edhe në sektorë të tjerë të tregut të punës.
 
Këtë e bëri të ditur drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit Artur Micko, në një dalje në media, ku edhe ka shpjeguar dinamikën e vendeve të lira të punës sipas studimit të tregut të kryer nga institucioni që drejton.
 
Sipas të dhënave për vitin 2015, ka pasur një rritje shumë të madhe për sa i përket kërkesave për kurset e formimeve profesionale për informatikë dhe “web design”. Pra, janë disa fusha që tregojnë interes dhe për rrjedhojë tregu ka shumë kërkesa. Gjithsesi, ofertat nga tregu i punës nuk janë vetëm në “Call Center” dhe fasoneri, por janë edhe në hoteleri-turizëm, në subjekte tregtare që operojnë në fushën e telekomunikacioneve, në ndërtim etj” – deklaroi ai.
 
Me anë të politikave të nxitjes së punësimit sipërmarrjet kanë përfitime të ndryshme në formën e subvencioneve, nëse ato punësojnë persona, të cilët janë regjistruar në Zyrat e Punës, të cilat janë pjesë të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Një nga këto politika nxitëse përfshin edhe punësimin e shtresave në nevojë, siç janë personat me aftësi të kufizuara. Drejtori i SHKP-së ka shpjeguar mundësitë që ofrohen për të ndihmuar këtë kategori qytetarësh, ku përfitojnë edhe sipërmarrësit.
 
Programi për integrimin e tregut të punës të personave më aftësi të kufizuara i subvencionon punëdhënësit, për një periudhë 1 vjeçare sigurimet shoqërore e atij personi të punësuar. Nga ana tjetër po për këtë person të punësuar, i cili është me aftësi të kufizuara, punëdhënësit i subvencionohet e plotë për 6 muaj paga minimale (për personin në fjalë) në shkallë vendi  dhe për 6 muajt e tjerë i subvencionohet në masën 50%. Gjithashtu, subvencione të tjera, që parashikohen lidhur me programin e nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara,  janë  100 mijë lekë të reja, të cilat i akordohen punëdhënësin që të përshtatë ambientin për këta persona. Ndërkaq, kemi edhe programe të tjera me afat 1-vjeçar, që synojnë integrimin në tregun e punës e të rinjve të sapo diplomuar si edhe  të shtresave në nevojë, që përfshijnë të papunët afatgjatë, persona në moshë mbi  45 vjeç dhe qytetarë të komunitetit rom apo egjiptian” – sqaroi skemën Micko.
 
Përsa i përket punësimve në vitin 2015, drejtori i SHKP-së u shpreh se sipas të dhënave më shumë se 50% e personave që përfituan nga programet e nxitjes së punësimit ishin të rinjtë deri në moshën 29 vjeç.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)