Obama-Castro, histori e gjatë
e marrëdhënieve të komplikuara

Obama-Castro, histori e gjatë<br />e marrëdhënieve të komplikuara
Presidenti amerikan, Barack Obama, të shtunën vonë u takua me presidentin e Kubës, Raul Castro, në bisedimet e para të nivelit më të lartë ndërmjet dy vendeve, pas më shumë se 50 vjetësh.

Obama e ka përshkruar takimin e tyre privat në Panama, në margjina të samitit amerikan, si “historik”, duke thënë se të dy vendet mund ta përfundojnë antagonizmin e periudhës së Luftës së Ftohtë.

“Ky është qartas takim historik. Historia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kubës është qartas e komplikuar, dhe gjatë viteve është zhvilluar mosbesim i madh. Por, gjatë kursit të disa muajve të fundit, ka pasur kontakte ndërmjet qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe Kubës dhe në dhjetor, si rrjedhojë e një pune themelore, ne të dy, unë dhe presidenti Castro, kemi shpallur një ndryshim të rëndësishëm në politikë dhe në marrëdhëniet ndërmjet dy qeverive tona”, tha presidenti Barack Obama, gjatë takimit me Raul Castron në Qytetin e Panamasë.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, të dy liderët e lartë u pajtuan për ripërtëritjen e marrëdhënieve diplomatike të ndërprera nga Uashingtoni në vitin 1961.

Më tutje, Obama tha se ende mbesin “dallime të thella dhe të rëndësishme” ndërmjet të dy qeverive.

“Tash, sigurisht se ende do të ketë dallime të thella dhe të rëndësishme ndërmjet dy qeverive tona. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi t’i shtrojmë çështjet rreth demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Dhe, siç dëgjuat nga fjalimi i pasionuar i presidentit Castro këtë mëngjes, ata, po ashtu, do t’i shtrojnë shqetësimet për politikën e Shteteve të Bashkuara”.

“Por, mendoj se ajo që ne të dy kemi konkluduar, është se nëse ne mund të kemi mospajtime me frymën e respektit dhe të civilizimit, dhe se gjatë kohës është e mundshme për ne që ta kthejmë faqen dhe të zhvillojmë marrëdhënie të reja në të dy vendet tona”, theksoi Obama.

Nga ana tjetër, presidenti i Kubës, Raul Castro, tha se për çdo gjë “mund të bisedohet në tavolinë”.

“Mendoj se ajo që presidenti Obama posa e tha, është praktikisht, e njëjta që ne ndjejmë për çështjet, përfshirë të drejtat e njeriut, lirinë e shtypit. Ne u kemi thënë në disa raste të mëparshme, disa miqve amerikanë, se ne kemi vullnet ta diskutojmë secilën çështje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kubës".

"Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për këto çështje që i përmenda dhe shumë të tjera, si në Kubë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Mendoj se çdo gjë mund të jetë në tavolinë”, tha Raul Castro, gjatë takimit me presidentin amerikan, Barack Obama.

Megjithatë, presidenti Castro theksoi se për raportet e dy vendeve nuk duhet pasur “iluzione”.

“Mendoj se ne këtë mund ta bëjmë, siç tha presidenti Obama, sa u përket ideve të të tjerëve. Ne mund të bindemi për disa gjëra, për të tjerat, ne ndoshta nuk do të bindemi. Por, kur them se unë pajtohem me të gjitha që posa i tha presidenti, përfshihet edhe ajo që ne jemi pajtuar për të mos u pajtuar. Askush nuk duhet të presë iluzione".

"Është e vërtetë se ne kemi shumë dallime. Vendet tona e kanë një histori të gjatë dhe të komplikuar, por ne jemi të gatshëm të bëjmë progres, ashtu siç e përshkroi presidenti”, tha presidenti 83-vjeçar, Raul Castro, i cili e mori postin e liderit të Kubës në vitin 2008, pasi vëllai i tij i madh Fidel Castro, u largua për shkaqe shëndetësore.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Hamasi e mirëpret një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut

Lufta/ Hamasi e mirëpret një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut