Obama i ulëret Europës:
Zgjidhni problemet tuaja

Obama i ulëret Europës: <br />Zgjidhni problemet tuaja
CHICAGO - Kritika që nuk ta merrte mendja: Barack Obama që, në prag të takimit evropian, i bërtet si asnjëherë tjetër Europës pasi ende nuk ka zgjidhur krizën. E bën papritmas gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimit të NATO-s në Chicago. Toni i përdorur nga presidenti amerikan është si rrallë herë i vendosur dhe stonon me gjuhën e sjellshme dhe të butë të G8-ës në Camp David, ku Obama mori premtimin nga vendet e mëdha evropiane – përfshi Gjermaninë – për një lehtësim të masave të rrepta ekonomike në favor të rritjes ekonomike.

“Europa duhet të zgjidhë problemet e saj menjëherë”, tha me zë të vendosur, duke nënvizuar sa të rëndësishme janë “politikat që lejojnë ata që kanë bërë sakrifica të mëdha në konsolidim, si Italia dhe Spanja, që të kthehen në rrugën e rritjes”. Pra, nuk ka kohë për të humbur. Sepse në rrezik nuk është vetëm Kontinenti i Vjetër – thekson Obama – por e tërë ekonomia botërore. “Ajo që ndodh në Greqi ka një impakt edhe në SHBA”, tha troç presidenti amerikan.

Për Shtëpinë e Bardhë tashmë është bërë e papranueshme që europianët nuk arrijnë të dalin nga tuneli, sidomos për shkak të ndarjeve të tyre të brendshme. Duket gati e pakuptueshme që “sensi i urgjencës në Eurozonë – tha Obama – të jetë më i madh në krahasim me dy vjet e gjysmë më parë”, pavarësisht nga të gjitha masat e marra për të kufizuar përhapjen e krizës.

Bindja është se receta ka qenë e gabuar. Dhe këtë herë presidenti amerikan shkon goxha më tutje se sa “qortimi” i zakonshëm dhe gati dikton axhendën e vendeve evropiane. Duke ofruar jo vetëm një mbështetje politike por edhe – nëse është e nevojshme – teknike, një konsulencë, për të ndihmuar BE-në që të dallojë dhe të aktivizojë masat e duhura. Ndoshta duke marrë pjesë në disa prej takime të ardhshme evropiane. Një gjë komplet e re. Ai i presidentit amerikan është pra një ndërhyrje direkte për të shkundur kryeqytetet evropiane.

Kurrë nuk kishte guxuar aq sa t’i tregonte vendeve të BE rrugën për t’u ndjekur: “Është e rëndësishme që Bashkimi Europian të pranojë që projekti evropian shkon përtej monedhës dhe nevojitet një koordinim më i madh mes vendeve”.

Më pas janë bankat. Obama ende trembet duke menduar për rreziqet që ka kaluar JP Morgan. Por në SHBA rritet shqetësimi për gjendjen shëndetësore të instituteve evropiane [të kredisë] që mund të tronditin sistemin bankar amerikan. “Bankat në Europë duhet të rikapitalizohen”, thotë presidenti amerikan, duke hyrë edhe këtu me forcë në debatin që ditët e fundit ka parë si rivalë presidentin e ri francez, Francois Hollande, dhe kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy, që kundërshton ndërhyrjet në ndihmë të bankave iberike në vështirësi.

Obama duket i mërzitur nga grindjet dhe kërkon që në takimin e të mërkurës Brukseli të kalojë nga fjalët tek faktet.

(Përshtatur nga Ansa.it)

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës