O'Brien: Shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n

O'Brien: Shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n

James O’Brien

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka paralajmëruar të hënën Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.

“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien për gazetarë.

Ai tha se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.

Më 24 shtator, gjendja u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të. Komentet e O'Brien vijnë në një kohë kur NATO-ja po mendon ta shtojë praninë e përhershme në Kosovë përmes misionit të vet paqeruajtës, KFOR.

Ai shtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të bisedojë për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor gjatë takimit dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s, këtë javë në Bruksel.

Për mundësinë e një shtimi më të përhershëm të pranisë së NATO-s në Kosovë, Stoltenberg foli edhe gjatë një vizite në Prishtinë më 20 nëntor. Aktualisht në Kosovë janë 4.687 trupa në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Javën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, premtoi se aleanca ushtarake perëndimore do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Stoltenberg i dërgoi një mesazh të posaçëm Serbisë dhe Kosovës që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne ftojmë Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialogun, e mbështetur nga BE-ja, në mirëbesim, dhe gjithashtu besojmë se propozimi i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm për dialogun dhe që ky proces të jetë më konstruktiv”, tha ai./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë