Dozat përforcuese anti-COVID mund të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së kooronavirusit. Kështu ka deklaruar kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai ka theksuar se prioritet duhet të jetë vaksinimi i personave më të rriskuar përballë virusit.
“Është pyetja e prioritizimit. Ka rëndësi se kush ka qasje në këto doza. Dhënia e dozave përforcuese te grupet e njerëzve që kanë rrezik të ulët nga sëmundja e rëndë apo vdekja, vë në rrezik jetën e njerëzve që janë në kategorinë e personave me rrezik të lartë e të cilët ende po presin që të marrin dozat e para, për shkak se ka mungesë të furnizimeve me vaksina”, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Dr. Tedros foli edhe për variantin e ri të COVID-19, Omicron, i cili tha se vaksinat ekzistuese janë më pak efektive ndaj këtij varianti, por shtoi se ato megjithatë ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për të parandaluar sëmundjen e rëndë dhe vdekjet. Kreu i OBSH-së tha se ky variant nuk duhet të cilësohet si më i lehtë se variantet e tjera, duke shtuar se ky variant po përhapet në të gjithë vendet.
“Omicroni po përhapet me një shpejtësi që nuk e kemi parë me asnjë variant paraprak. Edhe nëse Omicroni shkakton sëmundje më të lehtë, nëse rritet numri i rasteve do të mund të mbingarkojë sërish sistemet shëndetësore”, tha Tedros.
Komente











