Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se shtetet “duhet të jenë të përgatitura për mundësinë e rikthimit” të koronavirusit, teksa Evropa vazhdon të rihapet dhe Kina po përballet me shpërthim të ri, që ka nxitur mbylljen e disa pjesëve të Pekinit.
Teksa numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus arrin në 8 milionë, Ghebreyesus ka theksuar se më parë në vetëm dy muaj regjistroheshin 100,000 raste të prekura me Covid, kurse tani në të gjithë botën kjo përbën shifrën ditore të infektimit – dhe se virusi është duke u përhapur me shpejtësi në Azi dhe territorin amerikan.
Paralajmërimet për marrje të masave, me qëllim të luftimit të këtij virusi, kanë ardhur pasi Kina ka rritur numrin e testimeve dhe ka izoluar disa pjesë të kryeqytetit të saj, me qëllim të kontrollimit të shpërthimit të ri, pas shqetësimeve se kjo mund të jetë vala e dytë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton ky virus.