Oda Ekonomike Gjermano Kosovare i shtohen edhe 33 anëtarë të rinjë. "Kjo është arrit falë punës dhe përkushtimit për të ofruar mbështetjen e saj për ndërmarrësit kosovarë e gjermanë që veprojnë në Kosovë", u theksua në Kuvendin e Punës së Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, në të cilin janë shpërndarë 33 certifikata për anëtarët e rinjë.
Presidenti Samir Krasniqi tha se Oda Ekonomike Gjermano Kosovare po angazhohet me përkushtim për të ngritur cilësinë e ambientit të përgjithshëm biznesor në Kosovë, duke qenë zë i përhershëm i nevojave të ndërmarrësve.
"Oda Ekonomike Gjermano Kosovare sot ka 102 anëtarë dhe janë rreth 25 ndërmarrje tjera që pritet këto ditë të anëtarësohen", shtoi ai.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Matthias Kiesler, ka çmuar punën e Bordit të ri, duke ofruar edhe një herë mbështetjen e plotë të ambasadës gjermane.
"Ne kemi bashkëpunuar në vazhdimësi. Bordi i ri i zgjedhur vitin e kaluar, ka treguar afinitet shumë të denjë dhe angazhimi i tillë serioz i tyre na bën që të garantojmë nga ana jonë mbështetje edhe me të fuqishme në të ardhmen", ka thënë Kiesler.
Përfaqësues i GIZ në këtë takim, Christoph Heil, ka vlerësuar po ashtu punën e Odës Ekonomike Gjermano Kosovare. Ai ka theksuar ndër të tjera projektin që Oda realizon në partneritet me GIZ e që ka të bëjë me arsimin dhe aftësimin profesional të kosovarëve në Gjermani.
Drejtori ekzekutiv i Odës, Azem Rexhaj, ka prezantuar raportin duke theksuar se e gjithë puna është bërë duke qenë të përkushtuar ndaj nevojave të anëtarësisë, dhe jo vetëm.
Planet e të ardhmes të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, sipas drejtuesve të saj, të mos jetë vetëm një ombrellë dhe zëri përçues i bizneseve, por edhe nxitëse e kultivimit dhe rritjes së kulturës së punës gjermane në Kosovë.//atsh/