Propozimi i Albin Kurtit ndaj PDK për të votuar sonte ligjin për Dhomat e Specializuara si dhe Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin për president, zbulon një mangësi të Kosovës, thotë ish-ambasadori Roland Bimo. Sipas analizës së tij në “Repolitix” në Report Tv, Kosova nuk mundet të bëjë kompromis për të menaxhuar situatat e vështira.

“Është tipike e gjithë politikës shqiptare që fituesi i merr të gjitha. Kërkon t’i ketë të gjitha pushtetet në dorë. nga ana tjetër, është tendenca për të kontrolluar pushtetin në mënyrë absolute. Problemi që ka Kosova, mungon aftësia për të bërë kompromis. Jo vetëm çështje politike, por edhe kulturore që shqiptarët kudo që jetojnë, janë të paaftë të ndërtojnë një bashkësi moderne dhe për të kuptuar palën tjetër që të arrijnë në kompromis. Nuk besoj që të ketë armik të popullit, thjesht mungesë aftësie politike për të menaxhuar një situatë të vështirë”, thotë ish-ambasadori.

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Juxhina Sotiri, komenton edhe vizitën e Ursula von der Leyen në Kosovë dhe lehtësinë me të cilën kaloi. Sipas saj, mesazhi për Kosovën ishte të pranojë vendimin e Gjykatës Speciale për 4 ish-krerët e UÇK-së. Sa për krizën për presidentin dhe ofertën e Kurtit, e sheh si një vetëvrasje politike dhe shfaqje të një interesi që nuk ecën paralelisht me atë të Kosovës.

“Është një mesazh tepër negativ për sipërmarrjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Kosova gjendet në një situatë ku pazari politik individual i Kurtit po mban peng axhendën politike të Kosovës. Ky kumar që Kurti hedh në tavolinë, e lexoj si vetëvrasje politike për Kurtin. Përgëzoj PDK dhe këdo forcë tjetër politike që nuk bëhet pjesë e pazarit të pistë për të lënë peng shtetin e Kosovës. Në këtë moment lexoj një vullnet politik që Kurti nuk ka dashur t’ia japë Kosovës, nderit të luftës të UÇK-së për pavarësinë e Kosovës. Këto 3 zgjedhje, qoftë paaftësia për të konstituuar qeverinë apo për të paguar shteti apo qytetarët presidentin që do Kurti, tregon se interesi i tij nuk është i Kosovës”, shprehet Sotiri.

Ndërsa për analistin Indrit Vokshi, elita politike e Kosovës i ka dorëzuar ish-krerët e UÇK-së për të sunduar vetë.

“Kjo është masakër. Është i pari që kërkon t’i marrë të gjitha dhe gjithçka. Kjo situatë mund të ishte zgjidhur nëse do të kishim politikanë të konsensusit që në mendjen e tyre Kosovën e shohin si fushë konsensusi. Janë politikanë të paaftë ose të kapur dhe shumë të shitur. S’ka asnjë kuptim të mos mundet Kosova të zgjedhë një president kur më parë e ka zgjedhur. Ky është demaskim edhe i personit kryesor aty. U thotë që unë e tregoj çështjen e UÇK-së. Ai duhet ta kishte interes të vetin të brendshëm. Kjo elitë politike e Kosovës i ka dorëzuar ata që janë në Hagë sepse kanë bërë një marrëveshje politike për të sunduar vetë”, tha Vokshi.