Oferta e përbashkët për Veri

Oferta e përbashkët për Veri
Një polemikë që ka nisur ditëve të fundit ndërmjet zyrtarëve të BE-së dhe lidershipit të Kosovës rreth mundësive dhe mënyrës së integrimit të plotë të Veriut në shtetin e Kosovës, përmban në vete një tension të veçantë, që deri më sot nuk e kemi regjistruar si të tillë në raportet zyrtare BE-Kosovë. Përderisa zyrtarët e BE-së insistojnë që Kosova duhet të dalë me një plan të vetin për Veriun, Kryeministri dhe disa ministra të resoreve, sikur mbeten të shurdhër për këtë kërkesë, ose mjaftohen me konstatimin që Kosova dhe instancat ndërkombëtare tashmë e kanë një plan për Veriun, dhe ky është Plani i Ahtisarit, të cilit nuk ka çka t’i shtohet dhe është praktikisht i gatshëm për implementim, ashtu siç është implementuar në komunat me shumicë serbe në brendi të Kosovës.

Për më shumë, kryeministri Thaçi ka nisur t’ia kthejë topin BE-së, duke e akuzuar se ajo është fajtore për vonesat në stabilizimin e situatës në Kosovë si dhe mbajtjen e shtetit më të ri në Europë peng të trajtimit indolent në proceset që çojnë drejt integrimit të Kosovës në BE. Jo vetëm që po vonohet heqja e regjimit të vizave për Kosovën, që vendin tonë e bën më izoluarin dhe qytetarët më të diskriminuarit në aspektin e të drejtave të lëvizjes së lirë, por vonohen, jo me ndonjë arsye të qëndrueshme, edhe raportet e fisibilitetit dhe masat tjera që Kosovës do t’ia hapin rrugën e asocim-integrimit në BE.

Tani kësaj neglizhence dhe politikës “kur nuk na bëhet vonë” të Brukselit, i shtohen edhe presionet që Kosova të dalë me ofertë të vetën rreth zgjidhjes së problemit të Veriut! Ky është një non-sens politik, diçka që nuk mund të lihet thjesht si konstatim i vetëkuptueshëm. Nëse do të pranohej kjo logjikë, problemet dhe ngecjet në Veri do të duhej të interpretoheshin sikur kanë ndodhur gati ekskluzivisht me fajin e Qeverisë së Kosovës. Sipas kësaj logjike, mungesa e ofertës kosovare, ose, më saktësisht, mungesa e alternativave reale në platformën qeveritare, e paskan kushtëzuar paraqitjen dhe vazhdimin e krizës në pjesën e territorit të Kosovës ku nuk është as Kosova, e as ligji.

Kjo logjikë nuk mund të pranohet. Gati 13 vjet qeveritë e Kosovës nuk kanë pas qasje në veri të Kosovë dhe mungesa e alternativave nuk mund t’i faturohet kosovarëve. Deri në vitin 2008 përgjegjësia e plotë për gjendjen në Veri i ka takuar forcave ndërkombëtare, UNMIK-ut dhe KFOR-it. Qendrat ndërkombëtare të angazhuara në krizën e Kosovës, me instancën e lartë vendimmarrëse që quhej Grupi i Kontaktit, kanë qenë e kanë udhëhequr një politikë të butë ndaj Veriut, që nënkuptonte lëshime praktikisht maksimale për serbët atje, madje edhe kur ata konfrontoheshim dhe reagonin ashpër ose edhe i sulmonin me armë zjarri forcat ndërkombëtare.

Politikisht, në Veri UNMIK-u e ka toleruar pushtetin paralel, ose kontrollin e Beogradit, e që pastaj ka degjeneruar dhe është bërë oazë e kontrabandës dhe krimit, një zone ku në të vërtetë nuk sundonte ligji, por bandat. Për më shumë, shkëputja faktike e Veriut nga Kosova është sforcuar edhe përmes mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në këtë pjesë të Kosovës. Ndërkombëtarëve nuk u bëhej vonë për asgjë rreth situatës në Veri, madje as për terrorin e përditshëm që ushtrohej atje jo vetëm ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve që jetojnë në Veri, por edhe ndaj serbëve që shfaqnin qëndrime më të moderuara dhe gjakonin për sundimin e ligjit në ato anë.

Kjo është tani historia që nuk mund të përmbyset me kërkesën që Kosova të ketë një plan të vetin. Kosova e ka planin e përbashkët me Perëndimin, i cili është plan i garantuar dhe pa alternativë, dhe ky është Plani i Ahtisarit.

Pas vendimit të GJND-së, se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë akt legjitim, dhe pas përfundimit të fazës së parë të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, ku në parim Serbia i ka pranuar implicite kufijtë e Kosovës me ato në Veri (sidomos me marrëveshjen për kontrollin e integruar të pikave kufitare dhe përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale), ka avancuar edhe realizimi i Planit të Ahtisarit. Edhe Beogradi tani, nëse nuk e pranon me tërë gojën, e njeh atë si realitet.

Në këtë kontekst, insistimi i BE-së që Kosova të dalë me një plan të vetin për Veriun, merr ngjyrimin e dyshimtë se BE-ja kështu po distancohet nga një plan tashmë ekzistues i Ahtisarit, që shumica e shteteve anëtare të saj e ka pranuar si të tillë. Aplikueshmëria e këtij plani tashmë është dëshmuar plotësisht në komunat tjera me shumicë serbe dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë edhe në Veri.

Ajo çka eventialisht mund t’u ofrojë Qeveria e Kosovës serbëve në Veri, nuk do të duhet të ishte ndonjë plan alternativë, ose ajo që quhet Ahtisari Plus. Mund të ketë vetëm ofertë procedurale dhe e afateve mbi atë sesi dhe kur do të implementohet Ahtisari. Kosova mund dhe duhet të bisedojë me qytetarët e vet në Veri, por kjo nënkupton dialogun me ato grupe dhe struktura që e njohin realitetin dhe duan që të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës, dhe jo me kriminelët dhe banditët që terrorizojnë Veriun. Popullata në ato anë, pasi që ka jetuar gjatë pa komunikime me pjesën tjetër të Kosovës, ka qenë në terr informativ, e ushqyer dhe frikësuar vetëm me keqinterpretime, kështu që mbase edhe nuk e di se çka u ofron krejt Plani i Ahtisarit.

BE-ja, në vend të kritikave dhe presioneve aktuale, do të duhej të bashkëpunonte me Qeverinë e Kosovës në informimin e drejtë të qytetarëve në Veri për ofertën e përbashkët, duke mbajtur edhe rolin e dorëzanit garantues për implementimin. Nëse Kosova duhet të ketë një plan “tjetër”, kjo thjesht s’ka kuptim. Do të perceptohet si presion dhe ndëshkim i padrejtë karshi kooperativitetit të lidershipit kosovar me Perëndimin në 13 vitet e fundit.
Marre nga MAPO
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Vendosi rekord të ri botëror dhe ‘tërboi’ fansat, festimi epik i Armand Duplantis me shokun e skuadrës

Paris 2024/ Vendosi rekord të ri botëror dhe ‘tërboi’ fansat, festimi epik i Armand Duplantis me shokun e skuadrës