TIRANE- Një organizatë humanitare me bazë veprimi në Turqi, duket se është financuesja kryesore e rekrutimit të mercenarëve Shqiptarë dhe dërgimit të tyre në Siri. Organizata mban emrin “IHH” anëtarët e së cilës kanë përdorur dhjetëra transaksione bankare me shtetas shqiptarë dhe kosovarë. Tashmë të gjitha transaksionet e “IHH” të bëra në Shqipëri janë në verifikimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dyshimet e prokurorëve, të çojnë në një rreth të ngushtë personash që zotëron financat e kësaj organizate në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Ky grup, përbëhet nga imamë dhe besimtarë të tjerë, të cilët njëherësh kanë ngritur sistemin e propogandës në zonat e influencës së tyre, ku ushtronin aktivitetin. Për të zbërthyer mekanizmin e financimit dhe zbuluar burimin e parave, prokuroria pak ditë më parë i është drejtuar me një kërkesë bankave të nivelit të dytë, për të verifikuar llogaritë bankare të imamëve Genci Balla, Bujar Hysa, biznesmenit Verdi Morava dhe 9 personave të tjerë të arrestuar dhe shpallur në kërkim. Dyshimet flasin dhe për një burim tjetër të ardhurash, ku grupi arrinte t’i mblidhte nga tregtarë të vegjël, që i ishin bashkuar këtij rrjeti. Nën emrin e organizatës humanitare, arrihej që të transferoheshin nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia gratë dhe fëmijët, të cilët kalonin në Turqi dhe më pas në Siri. Kauza e këtij udhëtimi ishte: “Punë humanitare në Siri”.

30 persona
Të paktën 30 persona me prirje ekstremistë, të cilët janë thuajse gati për t’u nisur në Siri, apo që mund të dërgojnë të tjerë shqiptarë atje, janë duke u mbajtur nën monitorim nga shërbimet e specializuara. Lajmi mësohet për “Shqiptarja.com” nga burime të mirëinformuara pranë organeve ligjzbatuese, të cilët tashmë ndodhen në fazën e dytë të operacionit që ka për qëllim frenimin e ikjeve të tjera të shqiptarëve për të luftuar në Siri. Në këto momente Elbasani përbën plagën më të rëndë të këtij fenomeni, që ka prekur një pjesë të shoqërisë shqiptare, pasi të paktën 4 zona të këtij rrethi ndodhen tashmë të shënuara me “vizë të kuqe”, përsa i përket rrezikut të rritjes së ektremizmit.

Përfshirja e fëmijëve në këto dërgesa përbën një tjetër shqetësim për autoritetet që po monitorojnë këto organizime të dërgimeve të shqiptarëve në Siri. Operacioni që u finalizua më 11 mars 2014 nga policia dhe prokuroria, ishte veç maja e ajzbergut, pasi agjentët e shërbimeve të specializuara punuan për rreth 1 vit në terren, duke identifikuar protagonistët. Burime të mirëinformuara pranë agjencive ligjzbatuese konfirmuan se këta njerëz vepronin si pjesë e një trupi të vetëm ndërkombëtar, me baza në vende problematike.

Kalimi në Siri
“Dy imamët” shqiptarë merrnin përsipër dërgesa masive (mendohet se dërguan nga 50 deri në 100 persona në Siri), por në Shqipëri nuk erdhi asnjë i huaj për t’u interesuar rreth celulës shqiptare, pasi kishin besim “të verbër” se vëllezërit do të mbaronin punë vetë. Kuptohet se gjithçka financohej prej tyre, ndërsa grupet më të zjarrta terroriste ndërkombëtare si “Al-Kaeda” apo “ISIS”, mirëprisnin mbërritjen për qëllimin e përgatitjes për luftë.

Paraprakisht mund të thuhet se thuajse gjithçka ishte mbuluar me petkun e organizatave joqeveritare, ku kryefamiljarët merrnin edhe gratë apo fëmijët me vete dhe për “qëllime humanitare” kalonin Turqinë, për të mbërritur në tokën e dëshiruar prej tyre. Grupi e kishte fenë islame në plan të dytë, pasi qëllimi kryesor ishte organizimi i rekrutimit të sa më shumë luftëtarëve.

Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)