TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar i shqetësuar se përse OKB në deklaratën zyrtare lidhur me marrëveshjen e arritur në Ohër, e ka cilësuar si një dakordësi e arritur mes ‘Beogradit dhe Prishtinës'. Për kryeministrin Rama fakti që në emrin e marrëveshjes nuk përmenden emrat e dy shteteve lë vend për interpretim dhe kjo duhet sqaruar menjëherë.

'Beogradi dhe Prishtina'?! Një gabim apo një lapsus? Emri zyrtar i saj është 'Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë' dhe do të ishte e papranueshme nëse Sekretari i Përgjithshëm i OKB, nuk do ta përdorte këtë emër qëllimisht. Ju lutemi jepni sqarime menjëherë.”, shkruan Rama.

Ky reagim vjen pas dakordësisë që arritën dy palët në Ohër. Ndërmjetësues të takimit ishin diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

Postimi i kryeministrit Edi Rama