SHBA - Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Martin Nesirky u shpreh se Kombet e Bashkuara kërkojnë falje për brohoritjen e disa zyrtarëve të OKB-së teksa këndohej kënga nacionaliste serbe “Marshi në Drinë” në sallën e madhe të Asamblesë së Përgjithshme në New York.

Koncerti ishte organizuar nga presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Vuk Jeremici, dhe i pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.

“Ne sinqerisht shprehim keqardhje tonë që njerëzit u ofenduan nga kjo këngë, duke iu përgjigjur protestave që erdhën për shkak të këngës “Marshi në Drinë” kënduar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Sekretari i Përgjithshëm nuk ka qenë në dijeni se për çka bënte fjalë kënga apo se kur ishte kënduar në të kaluarën”, u shpreh Nesirky.

Kënga e kënduar nga Kori serb “Viva Vox” provokoi zemërim në mesin e grupeve boshnjake, që e dinin se kënga ishte një himn serb, që lidhet me masakrat e vitit 1995.

“Marshi në Drinë” u shkrua fillimisht për të lavdëruar trupat serbe të vrarë gjatë një beteje kundër trupave austro-hungareze në Luftën e Parë Botërore, por pastaj është bërë himn nacionalist për serbët. Gjithashtu, kjo këngë, u këndua edhe nga ultra-nacionalistët serbë gjatë luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë.

Dhe kjo këngë thuhet se u këndua nga forcat serbe gjatë masakrës së Srebrenicës në vitin 1995, kur u vranë më shumë se 8 mijë meshkuj myslimanë.

Ndërkohë , ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka mbrojtur performancën e këngës duke thënë se zë vend qendror në kujtesën për mbrojtjen e lirisë ndaj agresorëve në Luftën e Parë Botërore, ku Serbia ka humbur një të tretën e popullatës së saj mashkullore në shumë beteja, duke luftuar krahas aleatëve”.


Greta Malaj